E Hënë, 2 Nëntor 2026

Deputetja Haxhiu: Kalimi i 19 pr.ligjeve për diskutim, proces tinëzar. Disa e ndryshojnë rrënjësisht jetën e qytetarëve

Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, njëherësh Zv.sekretare e Përgjithshme e kësaj partie, ka shprehur shqetësimet mbi 19 projektligjet që do të diskutohen në komisionet e përhershme parlamentare e më pas në Kuvend.

E ftuar në studion e RTSH 24, Haxhiu akuzoi ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, se e ka imponuar kalimin e projektligjeve si një nevojë emergjente dhe domosdoshmëri për integrimin. Sipas deputetes, më pak se katër prej tyre lidhen me integrimin.

“Këto 19 projektligje, ishin surprizë për gjithë deputetët, sepse u paraqitën dy orë para se të mbahej seanca në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare. Ishte e imponuar në momentin e fundit dhe jashtë agjende. Nuk u panë me detaje se çfarë ishin projektligjet. Toni Gogu na tha në Parlament se këto janë nevojë emergjente dhe domosdoshmëri për integrimin. Por këto 19 projektligje nuk janë të gjitha për integrimin. Ka projektligje që duhen parë me vëmendje, sikurse dhe ligji për barazinë gjinore. Nuk ka terren të gatshëm në opinionin publik.

E kemi quajtur tinëzar, sepse së bashku me 3-4 projektligje që janë të domosdoshme, ka projektligje që ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e jetesës së qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ajo.

Duke iu referuar projektligjit për barazinë gjinore, Haxhiu shprehu rezervat e saj duke deklaruar se shoqëria shqiptare nuk është ende gati për të pranuar termat si “prindi 1” dhe “prindi 2”. Ajo tha se familja tradicionale dhe vlerat e saj janë një prej shtyllave kryesore që mban shoqërinë shqiptare.

“Mentaliteti shqiptar pranon nënë dhe babë, jo ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’. Ky është proces i gjatë në të cilën shoqëria do të kalojë, por shoqëria shqiptare nuk është gati. Ka probleme më imediate sot, sikurse është shkollimi i fëmijëve, shëndetësia, strehimi…”, shtoi deputetja Haxhiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›