E Martë, 3 Nëntor 2026

Dështoi takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, serbët vonohen gjatë udhëtimit

PRISHTINË, 2 qershor /ATSH/Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi pati takim bilateral në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në prononcimin për media pas takimit, Bislimi bëri të ditur se në këtë bisedë u diskutua qasja e re që BE-ja synon të ndërmarrë në fazat e ardhshme të dialogut, si në nivelin e kryenegociatorëve, ashtu edhe në takimet e nivelit të lartë që udhëhiqen nga përfaqësuesja Kaja Kallas.

Zëvendëskryeministri nënvizoi disa tema të rëndësishme që, sipas tij, kërkojnë zgjidhje të shpejtë apo përgjigje nga Brukseli.

Në veçanti, ai përmendi mospërmbushjen e obligimeve nga Serbia në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit, përfshirë ndërtimin e tri pikave kufitare të parapara dhe mungesën e përgjigjes për propozimin e Kosovës për hapjen e pikave sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë.

Ai gjithashtu ngriti çështjen e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, të cilat Serbia vazhdon të mos i pranojë, duke krijuar pengesa për eksportet kosovare. Po ashtu, u diskutua moszbatimi i marrëveshjes për energjinë, veçanërisht dëmet që po i shkaktohen Kosovës nga bllokimi i linjave të interkoneksionit me Serbinë.

Një tjetër temë me rëndësi ishte bllokimi i ndihmave për fermerët shqiptarë në Luginën e Preshevës, ku Serbia ka ngrirë mjetet në llogaritë e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Bislimi kërkoi nga BE-ja ndërmjetësim për zhbllokimin e fondeve.

Në takim u diskutua edhe fushata dezinformuese e Serbisë, për të cilën Bislimi tha se ka për qëllim mashtrimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe nxitjen e pasigurisë te qytetarët serbë në Kosovë.

Ai bëri të ditur se ishte planifikuar edhe një takim trilateral, por ai nuk u mbajt për shkak të vonesave të delegacionit serb në udhëtim.

Në lidhje me ndikimin e situatës së brendshme politike në Kosovë, Bislimi pranoi se vakumi institucional paraqet vështirësi për mbajtjen e takimeve të nivelit të lartë, por theksoi se nuk duhet humbur rastet ku mund të ketë përfitim për Kosovën, nëse Serbia tregon qasje konstruktive.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›