E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurti: Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ëndërr e realizuar për Kosovën

PRISHTINË, 2 qershor /ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vlerësuar si një zhvillim historik nisjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në vend, duke theksuar rëndësinë e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) në këtë proces.

Kryeministri Kurti tha se ALPEX përfaqëson një ëndërr të kahmotshme të realizuar për Kosovën, e cila i mundëson tregut energjetik në të dy anët e kufirit – Shqipëri e Kosovë – të bashkohet dhe të funksionojë me komplementaritet maksimal.

Ai shtoi se ALPEX është mekanizmi më i avancuar për tregun e lirë të energjisë, që operon me rregulla dhe standarde evropiane, duke garantuar transparencë të plotë dhe gjurmueshmëri të çdo transaksioni.

“Dje dhe sot, përmes ALPEX-it, KEK ka siguruar energji për konsumatorët me çmime konkurruese dhe transparente. Çmimi për dje ishte 64.55 euro/MWh, ndërsa për sot është kontraktuar me 86.75 euro/MWh,” theksoi Kurti, duke shtuar se ALPEX është një antidot i “mafisë energjetike” që ka vepruar ndër vite në Ballkan, por që, sipas tij, nuk ka lidhje me këtë Qeveri.

Ndërkaq, ministrja Rizvanolli konfirmoi se tregu i energjisë është hapur zyrtarisht më 1 qershor 2025, dhe se konsumatorët kanë mundësi të zgjedhin furnizuesin e tyre në një treg më konkurrues. Ajo bëri të ditur se sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRRE, nga të cilët të paktën pesw 5 janë aktiv, ndërsa mbi 1300 konsumatorë tashmë janë pjesë e tregut të hapur.

“Në vitin 2016, kur u hartua Ligji për Energjinë Elektrike, kishte vetëm një furnizues – KESCO. Sot kemi një ekosistem të ri, ku konkurrenca do të rritet natyrshëm dhe do të sjellë përfitime për të gjithë: konsumatorët, sektorin dhe ekonominë në tërësi,” deklaroi Rizvanolli.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›