Dështon përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar përpjekja e 38-të e deputetëve të Kosovës për konstituimin e Kuvendit. Deputetët nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Në sallë kanë qenë 95 deputetë. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka akuzuar drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën që ka, pasi ai i ka ftuar partitë që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.
Hymete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka lutur Deharin që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur. Për të dyja këto parti, dhe parti të tjera më të vogla, ndryshimi i mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përshkruar situatën në Kosovë si tepër të rëndë dhe e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se vetëm synon të përkeqësojë edhe më tepër situatën.
Krerët e partive politike zhvilluar një takim të shtunën me shpresë se ky takim do të prodhonte ndodnjë rezultat. Por kjo nuk ndodhi. Përfaqësuesit e partive politike janë mbledhur më 28 qershor dhe kanë diskutuar mbi dy orë, dhe në fund kanë vazhduar ta fajësojnë njëri-tjetrin për situatën aktuale.
Palët janë takuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.
Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.