Dështon sërish seanca në Kosovë, Vetëvendosje nuk tërhiqet, opozita ankohet në Kushtetuese

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 18. Deputetët refuzuan krijimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kreun e ri të parlamentit.
Pas seancës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar sërish Vetëvendosjen për mos krijimin e institucioneve.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që të zhbllokojë situatën. Shpreh keqardhjen ndaj gjithë qytetarëve që është bërë e tepërt dhe po dëmton vendin tonë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Bëj thirrje që LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti të ndryshojnë kandidatin dhe të vijnë me një kandidat që mund të merr shumicën dhe të shkojmë tutje për konsitutimin e Kuvendit dhe themelimin e qeverisë”, tha Krasniqi.
Sipas tij nëse kjo krizë politike vijon, Presidentja e vendit duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku tha Lëvizja Vetëvendosje po zvarrit këtë situatë.
“Fatkeqësisht nuk ka as interes, e nuk ka as urgjencë për partinë e parë që t’i bëjë institucionet. Për shkak se s’ka urgjencë ka edhe zvarritje. Për shkak se s’ka urgjencë ka edhe propozime që seanca të mos mbahet sipas rregullores. E mungesa e urgjencës është vërtet lajmi i keq për Republikën e Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për institucione, ka nevojë për veprime politike të partisë së parë”, tha Abdixhiku.
Ndërkohë deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se po i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ti dhënë zgjidhje situatës.
“Tash po nisem për në Gjykatën Kushtetuese, është afati i fundit për dërgimin e komenteve. I kemi hartuar edhe disa komente në përkrahje dhe mbështetje të asaj që kemi dërguar dhe arsyetimin se pse duhet të trajtohet me seriozitet. Ne tash po fillojmë të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, do i dorëzojmë komentet dhe normal që dëshirojmë që të fuqizohet kërkesa paraprake”, tha Kadrijaj.
Ndërkohë kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti nuk ka pranuar as sot të flasw për mediat.