Dështon sërisht konstituimi i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 9 qershor /ATSH/ Ka dështuar për herë të 29-të konstituimi i Kuvendit në Kosovë. Seanca e radhës u caktua në datën 11 Qershor, ora 11:00.
Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa sërish nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. 53 deputetë kanë votuar pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sikur seancat e më hershme, edhe sot kryesuesi i seancës konstituive ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, emrat e anëtarëve të komisionit që mundëson votimin e fshehtë, gjë që këto parti nuk e dhanë. Arsyetimi i tyre më herët ka qen se nuk duan të ndryshohet metoda e votimit në mes seancës nga votimi i hapur në të fshehur.
Vazhdimet e seancës konstituive nuk po zgjasin shumë, pasi tentimi i tri partive Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë po dështon në votim.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA janë kundër Abulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe po ashtu kundër votimit të fshehtë që po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar për interpretim në Kushtueses mënyrën e votimit të fshehtë.
/Kosovapress/