Lojëra fati të paligjshme, tre persona në pranga në Tiranë

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Tre persona janë arrestuar në Tiranë, pasi kishin përshtatur një lokal në rrugën “Petro Nini Luarasi” duke e kthyer në ambient ku luheshin lojëra fati me makineta dhe me celularë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, është finalizuar në Tiranë operacioni policor i koduar “Rezultati”, ndërsa janë arrestuar tre shtetas, administratori i lokalit dhe dy klientë.
Në njoftim thuhet se janë sekuestruar edhe 5 makineta, 4 celularë dhe 50 000 lekë.
Policia e Shtetit bën me dije se si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek inteligjenca policore, me objektiv goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. D., 21 vjeç, A. Z., 24 vjeç dhe Xh. Gj., 21 vjeç.
“Nga kontrollet në lokalin që administronte shtetasi M. D., u konstatua se ambienti ishte përshtatur me makineta dhe me celularë, që shërbenin për lojëra fati dhe për vënien e basteve sportive. Në lokal u kapën në flagrancë, duke luajtur, 2 të arrestuarit e tjerë”, cilësohet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/a.f/