E Diel, 1 Nëntor 2026

Detaje nga ngjarja në Vlorë/ 15-vjeçari ndodhej me shokun e mitur në “Golf”! Përplasi disa mjete dhe dy makina policie, u vetëdorëzua në komisariat

Detaje të reja mësohen nga ngjarja e ndodhur në Vlorë një natë më parë.

Një i mitur 15-vjeç, së bashku me shokun e tij po 15-vjeç si pasagjer, ka qenë në drejtimin e një automjeti tip “Golf” kur ka përplasur disa makina.

Sipas informacioneve paraprake, ata dyshohet se kanë goditur disa automjete gjatë lëvizjes, çka ka bërë që të ndiqen nga patrullat e policisë së rendit dhe asaj rrugore në disa zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka përplasur qëllimisht një automjet të forcave speciale “Shqiponja” dhe më pas edhe një tjetër automjet policie, duke shkaktuar plagosjen e dy efektivëve. Të lënduarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, autori i mitur është larguar drejt banesës së tij, por më pas është dorëzuar vetë në komisariat.

Forcat “Shqiponja” kanë gjetur më pas automjetin “Golf”, i cili ndodhej në lagjen Partizani të qytetit.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›