E Diel, 1 Nëntor 2026

Dezinformim dhe vetëdiagnostikim, raporti ngre alarmin se teknologjia po cënon shëndetin publik

Dezinformimi shëndetësor në Shqipëri ka arritur nivele kritike, duke prekur 9 në 10 qytetarë dhe duke u shndërruar nga një fenomen i izoluar në një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë shëndetësore të popullatës, sipas një raporti të publikuar të premten.

Raporti “Përballja me dezinformimin shëndetësor dhe deepfake-et në epokën e inteligjencës artificiale”, është përpiluar nga organizata Together for Life, me mbështetjen e ‘See Check Network’ dhe financimin e Bashkimit Evropian dhe u prezantua në një takim me ekspertë të fushës.

Në një takim për prezantimin e raportit hulumtuesit vunë në dukje se vetë-diagnostikimi dhe vetë-trajtimi i bazuar në këshilla të marra nga Inteligjenca Artificiale apo burime të paverifikuara po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve, duke minuar besimin tek mjekët dhe institucionet.

Një ndër shqetësimet më të mëdha të ngritura në raport është përdorimi i teknologjisë “Deepfake” për të manipuluar zërin dhe figurën e mjekëve të njohur, me qëllim shitjen e produkteve pa bazë shkencore. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, denoncoi publikisht rrezikun që i kanoset jo vetëm pacientëve, por edhe vetë personelit shëndetësor.

“Abuzimi me identitetin e mjekëve përmes deepfake-eve dhe reklamave të rreme nuk është vetëm mashtrim financiar, por një rrezik real për jetën e njerëzve. Mungesa e mbrojtjes dhe reagimit efektiv i ekspozon mjekët ndaj kërcënimeve dhe vetëgjyqësisë,” deklaroi Brataj, figura e të cilit është përdorur në këto video.

Ndërkohë gjatë takimit të mbajtur me përfaqësues të institucioneve dhe medias, u ngrit shqetësimi për rolin e emisioneve televizive në këtë fenomen. Alida Cenaj, Drejtore e Kabinetit pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, bëri të ditur se në dy vitet e fundit janë evidentuar 6 raste flagrante të reklamave të fshehta.

“Monitorimet tona tregojnë se shkeljet më problematike në median audiovizive lidhen me reklamat e fshehta dhe promovimin e paligjshëm të produkteve shëndetësore, ku moderatori apo të ftuarit shndërrohen në reklamues të drejtpërdrejtë,” u shpreh Cenaj, duke njoftuar nismën e re ‘Infodemia’ për ndërgjegjësimin e gazetarëve.

Hulumtuesit ndërkohë ngritën alarmin dhe kërkuan marrje të masave dhe një strategji konkrete për të ndikuar ndaj fenomenit. “Dezinformimi shëndetësor duhet të trajtohet zyrtarisht si çështje e shëndetit publik, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuar, të menjëhershme dhe afatgjatë”, thuhet në rekomandimet që ata shpërndanë.

Sipas hulumtuesve mjet i rëndësishëm është edukimi i qytetarëve për të ndaluar fenomenin në rritje të vetëdiagnostikimit. “Të dhënat tregojnë se rreziku më i shpeshtë i lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale për tema shëndetësore është frymëzimi për vetë-diagnostikim dhe vetë-trajtim, i raportuar nga 63.7% e të anketuarve”, thuhet në raport.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›