Dheu si provë kyçe, FBI ndihmon Prokurorinë Speciale të Kosovës të zbulojë autorët e sulmit në “Ibër-Lepenc”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviç, Dragisha Viçentijeviç dhe Igor Dimoviç, në lidhje me sulmin terrorist të kryer më 29 nëntor 2024 në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Sipas aktakuzës, Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç dyshohen se kanë vendosur një çantë me eksploziv në kanal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm e energji elektrike. Dosja hetimore tregon se identifikimi i tyre u mundësua nga provat e mbledhura në bashkëpunim me FBI-në.
Gjatë arrestimit, hetuesit sekuestruan çizmet e të dyshuarve dhe morën mostra dheu si nga këpucët e tyre, ashtu edhe nga oborri i shtëpisë së vëllezërve dhe nga vendi i shpërthimit. Ekspertiza e kryer nga FBI konfirmoi se dheu që ndodhej në çizmet e Jovanit dhe Dragishës përputhej plotësisht me dheun e marrë në kanalin e “Ibër-Lepencit”, duke i lidhur drejtpërdrejt ata me vendin e krimit.
Në aktakuzë theksohet se “nuk ka dallueshmëri mes mostrave të dheut të gjetura në çizmet e të pandehurve dhe mostrave të marra në vendngjarje”, çka sipas Prokurorisë vërteton pjesëmarrjen e tyre në kryerjen e aktit terrorist.
Përveç akuzave për sulmin terrorist, Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç ngarkohen edhe me armëmbajtje pa leje, pasi gjatë bastisjeve janë gjetur armë dhe municion. Ndërsa Jovan Viçentijeviç akuzohet edhe për spiunazh, pasi dyshohet se është pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë dhe ka mbledhur informacione të ndjeshme për t’i përdorur në aktivitete të kundërligjshme në Kosovë.
Shpërthimi, i realizuar me 15-20 kg eksploziv të aktivizuar përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme, u cilësua nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se pas sulmit qëndrojnë grupe të dirigjuara nga Beogradi, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi çdo përfshirje të Serbisë.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, paralajmëroi se dëmtimi i kanalit kishte rrezikuar seriozisht furnizimin me ujë dhe stabilitetin energjetik të vendit. Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, ku u diskutua edhe lidhja e mundshme me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë.
Në vendngjarje dolën edhe ekipet e KFOR-it, ndërsa Ministria e Ekonomisë ndërhyri me instalimin e gjashtë gypave të përkohshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Sulmi u dënua ashpër nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria Speciale shoqëroi dhjetë persona të dyshuar dhe sekuestroi armë e pajisje të ndryshme. Jovan Viçentijeviç dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në shkatërrimin e infrastrukturës së “Ibër-Lepencit” dhe po ndiqet penalisht për disa vepra, përfshirë armëmbajtjen pa leje.