E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani pret Begajn: Kosova e Shqipëria, gjithmonë pranë njëra-tjetrës

PRISHTINË, 10 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj.

Osmani tha se me Begajn biseduan për bashkëpunimin e pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

“Në një takim të ngrohtë fundvitit, sot pata kënaqësinë ta pres Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduam për bashkëpunimin tonë të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka uruar Begajn që viti i ardhshëm të sjellë më shumë afërsi dhe bashkëpunim drejt Bashkimit Evropian.

“Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, thuhet në postimin e Osmanit.

Presidenti Begaj nënvizoi momentumin historik të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se rritja e rolit dhe faktorizimi i saj në arenën ndërkombëtare ndihmon drejtpërdrejt edhe Kosovën në procesin e njohjeve dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.

Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe Kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, të cilëve u uroi suksese në mandatin e ri pas zgjedhjeve lokale.

Gjatë vizitës në Komunën e Rahovecit, Presidenti Begaj u njoh nga afër me zhvillimin e agroturizmit në këtë zonë dhe punën e banorëve në vreshtari dhe produkte bujqësore, të cilat kanë sjellë mirëqenie dhe imazh ndërkombëtar për komunën përmes eksporteve të produkteve vendase. Presidenti vlerësoi atdhedashurinë, qëndresën gjatë luftës dhe punën e palodhur të banorëve të Rahovecit.

/r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›