Dhoma Amerikane e Tregtisë: Nevojë për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së e-Albania

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) në një deklaratë publike ka ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e platformës “e-Albania” dhe sistemeve, duke paralajmëruar rreziqe për bizneset, sigurinë e të dhënave dhe stabilitetin ekonomik.
AmCham, shprehet se “vlerëson përpjekjet dhe investimet publike të Qeverisë së Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike, përfshirë zhvillimin e platformës e-Albania, si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, duke qenë se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive, mungesa e auditimit, sigurisë dhe përditësimit të vazhdueshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare”.
AmCham thekson se “shpreh shqetësim të veçantë në lidhje me reagimet e vazhdueshme të marra nga anëtarët e saj pas zhvillimeve të fundit që lidhen me AKSHI-n. Sipas raportimeve të anëtarëve, disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve.
“Këto shqetësime përfshijnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme të sistemit, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ndërprerjen e aktivitetit normal të bizneseve. Ndërprerje të tilla kanë një ndikim të prekshëm dhe të menjëhershëm negativ në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar operacionet e përditshme”, thuhet në deklaratë.
Sipas AmCham, ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm, pasi Dhoma përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish anëtare që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të.
Në deklaratë thuhet se shumë prej këtyre kompanive janë të certifikuara ndërkombëtarisht, zbatojnë standarde të larta sigurie dhe rregullatore, dhe disa prej tyre janë të verifikuara plotësisht dhe të autorizuara për të ofruar shërbime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Megjithatë, pavarësisht kësaj eksperience të fortë vendase dhe ndërkombëtare, anëtarët e AmCham raportojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur edhe me proceset e prokurimit publik në sektorin TIK. Këto shqetësime cenojnë konkurrencën e ndershme dhe përdorimin efektiv të fondeve publike, duke rritur njëkohësisht rreziqet që lidhen me menaxhimin dhe mbrojtjen e të dhënave tepër sensitive”, vijon deklarata.
“Këto të dhëna përfshijnë informacion që lidhet me institucionet publike, bizneset, të dhënat personale dhe pasurore të qytetarëve, si dhe informacione të tjera me rëndësi kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë. Në krahasim, në Shtetet e Bashkuara dhe në ekonomitë e tjera të avancuara, kompanitë e përfshira në sistemet TIK qeveritare dhe sistemet sensitive i nënshtrohen proceseve strikte të verifikimit, kërkesave për autorizim sigurie dhe kontrolleve financiare, përfshirë edhe kufizime mbi marzhet e fitimit, me qëllim garantimin e transparencës, eficiencës dhe mbrojtjes së fondeve të taksapaguesve”, cilëson AmCham.
Për këtë arsye, AmCham i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe prokurimet.
Në zgjidhjet afat shkurtra, AmCham propozon ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme si krijimin e një kuadri ligjor të detyrueshëm për auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike për të gjitha platformat kritike të e-Government, të kryera në përputhje me standarde ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të BE-së, përfshirë ISO/IEC 27001, ISO/IEC 22301, NIST, SOC 2 dhe udhëzimet e ENISA, me përmbledhje ekzekutive të disponueshme për palët e interesuara.
AmCham, propozon autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi për forcimin e efektivitetit dhe nivelit të maturimit të mekanizmave ekzistues për autorizim sigurie, verifikim dhe kontroll aksesi në sistemet TIK qeveritare, në përputhje me rregulloret në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat e zbatuara prej AKSHI-t, rekomandohet vlerësimi dhe përmirësimi i këtyre mekanizmave, përfshirë kontrollin e aksesit të bazuar në role, në linjë me Direktivën NIS2 të BE-së dhe praktikat më të mira të shteteve anëtare.
“Përcaktimi dhe zbatimi i kërkesave minimale për nivelin e shërbimit (SLA) lidhur me funksionimin, kohën e rikuperimit dhe performancën e sistemeve kritike, duke përfshirë redundancën, rikuperimin nga fatkeqësitë dhe vazhdimësinë e biznesit, në përputhje me ISO/IEC 22301 dhe parimet e reziliencës digjitale të BE-së”, thuhet në deklaratë.
AmCham sugjeron rritjen e efektivitetit dhe maturimit të procedurave ekzistuese të prokurimit në sektorin TIK, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për sigurinë e informacionit, menaxhimin e databazave shtetërore, prokurimin e informacionit të klasifikuar dhe ligjin e prokurimit publik. Duke njohur praktikat aktuale të AKSHI-t, rekomandohet forcimi i vlerësimit mbi bazë merite, përmes peshimit më të qartë të kritereve teknike, certifikimeve, përvojës dhe profilit të sigurisë, në linjë me Direktivat e BE-së për Prokurimin Publik.
Sipas deklaratës, duhet të ketë një komunikim të strukturuar dhe njoftim të detyrueshëm për incidentet si krijimi i mekanizmave zyrtarë për njoftimin e bizneseve dhe qytetarëve mbi mirëmbajtjet e planifikuara, incidentet dhe ndërprerjet e shërbimit, përfshirë kohën e parashikuar të zgjidhjes dhe raportet pas incidentit, në përputhje me detyrimet e raportimit sipas NIS2.
Sipas AmCham, duhet të ketë një kuadër të rregulluar për integrimin e sistemeve që u mundëson sektorit privat të integrohen me platformat e e-Government, aty ku është e përshtatshme, në përputhje strikte me GDPR, eIDAS/eIDAS2, standardet e sigurisë kibernetike dhe rregullat e përcaktuara të kontrollit të aksesit, për të mbështetur automatizimin dhe reduktuar barrën administrative.
AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë duke ofruar ekspertizë teknike dhe duke ndarë praktikat më të mira ndërkombëtare, veçanërisht ato të zbatuara në Shtetet e Bashkuara, me qëllim forcimin e qeverisjes, minimizimin e rreziqeve të korrupsionit, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe rritjen e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.
/e.i/a.f/r.e/