Dhuna në familje, në Tepelenë vetëm 3 raste të denoncuara që nga janari

Që nga fillimi i këtij viti e deri tani, në Tepelenë janë regjistruar vetëm 3 raste të dhunës në familje. Sipas të dhënave, numri i ulët i rasteve të raportuara nuk pasqyron realitetin e plotë të situatës.
Shumë viktima, për arsye ekonomike apo sociale, zgjedhin të mos denoncojnë dhunën, duke mbajtur traumën të fshehur brenda familjes.
“Në Bashkinë Tepelenë janë regjistruar tre raste, të pajisura me urdhër mbrojtjeje. Rastet janë të ulëta, jo se nuk ka raste për t’u denoncuar, por viktimat, në përgjithësi gratë, janë të pambrojtura, nuk kanë punë stabile, nuk kanë kushte ekonomike dhe banesa. Pavarësisht se ne u kemi ofruar banesa sociale, ato kanë gjetur rrugën për t’u kthyer sërish te bashkëshorti i tyre”, tha Lumturi Dervishi, Koordinatore e Dhunës në Bashki.
Psikologët dhe punonjësit socialë këshillojnë që çdo rast i dhunës, pavarësisht intensitetit, të bëhet i ditur për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Kemi bërë fushatë ndërgjegjësuese me gratë të cilat janë në kushte ekonomike të vështira, pasi atje janë edhe rastet e dhunës”, theksoi ajo.
Autoritetet lokale shprehen se po punojnë për sensibilizimin e komunitetit dhe ngritjen e kanaleve të besueshme për raportimin e rasteve të dhunës, në mënyrë që çdo viktimë të ketë mundësi për ndihmë dhe mbrojtje.
/rtsh.al/