Më pak gështenja këtë vit në Pogradec, rritet çmimi ndërsa banorët kërkojnë mbrojtje nga prerjet

Në tregun e Pogradecit, së fundmi ka nisur të tregtohet gështenja e prodhuar në kodrat përreth qytetit. Kryesisht, sasia më e madhe e frutit të gështenjës vjen nga fshati që ka të njëjtin emër fshati Gështenjas në Pogradec.
Aktualisht, 1 kg i gështenjës në tregun me shumicë varion nga 200 deri në 300 lekë. Kjo për shkak të kushteve atmosferike, të cilat këtë vit ulën prodhimin e tyre.
Tregu nuk mungon për banorët, të cilët vijojnë të mbledhin ende nga mali gështenjën vendase të pakultivuar, por problematikë, ndër të tjera, shohin dëmtimin dhe prerjen e paligjshme të pemëve në mal. Për këtë arsye, ata kërkojnë që tokat të ndahen nga shteti sipas tapive të vjetra, për të pasur akses më të madh në mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj pyllit.
Në rrethin e Pogradecit, i cili njihet si një ndër zonat me sipërfaqen më të madhe të gështenjës së pakultivuar, numërohet një sipërfaqe prej 700 hektarësh pyje me gështenja, 600 prej të cilave janë pjesë e zonave të mbrojtura.
Ndërkohë, nga viti në vit, çmimi ka ardhur në rritje për shkak edhe të uljes së prodhimit. Nëse krahasojmë çmimin me vitin e kaluar, këtë vit 1 kg gështenjë kushton 50–70 lekë më tepër.
/rtsh.al/