Dhuna në familje nuk kursen as burrat. 12 raste të referuara në polici gjatë 2025-ës në Gjirokastër

Dhuna në familje nuk njeh më gjini. Në të kaluarën, në qarqet si Gjirokastra, kryesisht gratë ishin viktimat e dhunës nga bashkëshortët e tyre. Por gjatë vitit 2025 është vënë re një tendencë në rritje të rasteve ku meshkujt përjetojnë dhunë nga bashkëshortet e tyre.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër, përgjatë 2025 janë regjistruar 12 raste të deklaruara ku burrat janë dhunuar nga gratë e tyre. Sipas burimeve nga studiot ligjore që operojnë në Gjirokastër arsyeja kryesore e këtyre rasteve kanë ndodhur për arsye ekonomike.
“Ajo që kemi vënë re në vitet e fundit është se burrat kanë filluar të denoncojnë rastet e dhunës në familje kundrejt grave. Në 2025 burrat, të cilët kanë denoncuar, dhuna nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale”, u shpreh magjistratja Stela Doka.
Nga instancat përkatëse apelohet se dhuna nuk ka gjini dhe nuk duhet të ketë heshtje. Çdo rast duhet denoncuar.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/