Dhunë për reformën kushtetuese në Poloni, Tusk: Do ndryshojmë gjyqësorin

Në një reagim lidhur me krizën kushtetuese që ka përfshirë Poloninë, kryeministri Donald Tusk ka deklaruar se ligji do të sundojë ndaj akteve të dhunës dhe tensioneve, që shpërthyen ditën e premte.
Përplasja mbi përbërjen e instancës më të lartë gjyqësore të Polonisë ka çuar në një përballje të hapur me presidentin Karol Nawrocki, i cili u përpoq të hynte në ndërtesën e saj në një kohë kur caktimi i gjyqtarëve të rinj është bllokuar.
Mbrëmjen e së premtes, policia rrethoi godinën pasi përballja qytetare shpërtheu, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë Evropës.
Opozita e ka akuzuar Tusk se po përpiqet të realizojë një lloj grusht shteti në gjyqësor, ndërsa qeveria deklaron se do të vazhdojë me reformat e nevojshme për të rivendosur rendin dhe ligjin pas ndërhyrjeve të shumta të qeverisë së kaluar në institucionet e drejtësisë.
Në fjalimin drejtuar qytetarëve, Tusk i përshkroi ngjarjet e së premtes si “incidente skandaloze” dhe tha se skena të tilla nuk duhet të përsëriten më kurrë në Poloni. Ai theksoi se rikthimi i qetësisë nuk do të thotë pranim i dhunës dhe paligjshmërisë.
“Një shtet demokratik duhet të jetë i fortë dhe në gjendje të përforcojë drejtësinë”, tha Tusk.
Debati mbi Gjykatën Kushtetuese të Polonisë daton 11 vjet më parë, kur partia në pushtet Platforma Qytetare dhe ajo në opozitë Ligj dhe Drejtësi u përplasën lidhur me caktimin e 5 gjyqtarëve.
Që prej atëherë, debati është kthyer në një konflikt më të gjerë mbi pavarësinë e gjyqësorit, përbërjen e gjykatës dhe autoritetin për vendimet e saj.
Në vijim të fjalimit, Tusk tha se qeveria e tij ishte përpjekur ta zgjidhte krizën, por propozimet e saj ishin bllokuar nga partia Ligj dhe Drejtësi dhe presidenti, që e kishin thelluar atë.
Ai shtoi se më pas mazhoranca parlamentare priti që mandatet e gjyqtarëve të caktuar nga qeveria e mëparshme anti-evropiane të skadonin, në përpjekje për të shmangur një përballje direkte.
Duke reaguar lidhur me krizën, Komisioni Evropian shpërndahu një deklaratë ku thoshte se Parlamenti polak ka të drejtë të caktojë gjyqtarë të rinj.
Lajme të Sugjeruara