E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, përsëritet votimi në 53 qendra ku pati parregullsi

Qytetarët në Serbi po votojnë sërish këtë të diel në 53 qendra votimi, pas problemeve që u konstatuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Në 31 qendra nuk u arrit të përcaktohej rezultati, ndërsa në 22 të tjera votimi u anulua.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit në 24 qytete dhe komuna të Serbisë.

Në Zemun, disa qytetarë kishin mbërritur që përpara hapjes së qendrës së votimit në shkollën fillore “Svetozar Miletiç”, për të hedhur sërish votën e tyre.

Në këtë qendër kanë të drejtë të votojnë 1.364 qytetarë. Votimi i 25 tetorit u anulua pasi numri i personave që kishin firmosur se kishin votuar nuk përputhej me numrin e fletëve të votimit, raporton Tanjug.

Votimi po përsëritet edhe në qendra të tjera në Aleksinac, Baçka Topola, Suboticë, Novi Pazar, Krushevac, Loznicë, Pirot dhe qytete të tjera.

Sipas B92, në 31 nga 53 qendrat nuk ishte e mundur të përcaktohej rezultati i votimit të 25 tetorit, ndërsa në 22 të tjerat votimi ishte anuluar me vendim të komisioneve zgjedhore.

Për këtë arsye, qytetarët e këtyre zonave janë thirrur sërish në kutitë e votimit këtë të diel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›