E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhunoi bashkëshortin e gjyqtares, ekstradohet nga Gjermania 38-vjeçari

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit bën me dije se pas një operacioni të finalizuar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet gjermane, u ekstradua nga Gjermania, i riu që dhunoi dhe kanosi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares së ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë.

Policia njofton se si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës, me homologët në Gjermani, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, F. B. alias F. Z., 38 vjeç.

Sipas Policisë, në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi F. B. alias F. Z. akuzohet se në vitin 2019, ka dhunuar dhe ka kanosur me armë zjarri, shtetasin K. P., bashkëshort i gjyqtares që gjykonte procesin me palë të përfshirë grupin kriminal ku bënte pjesë 38-vjeçari.

Ky shtetas iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›