Dhurimi i gjakut, nevojë e vazhdueshme, Dega e Kryqit të Kuq Shkodër thirrje për më shumë dhurime vullnetare

Dhurimi vullnetar i gjakut mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme për të shpëtuar jetë njerëzish. Në qytetin e Shkodrës, një rol të rëndësishëm në sigurimin e rezervave të gjakut po luan dega e Kryqit të Kuq, e cila organizon vazhdimisht seanca dhurimi dhe kontribut të veçantë në këtë nismë po japin të rinjtë, kryesisht studentët e Universitetit të Shkodrës.
“Dhurimi i gjakut është një proces shumë i rëndësishëm pasi jo të gjithë kanë informacionin e duhur. Normalisht është pak i vështirë, por të rinjtë janë ata që thyejnë barrierat dhe që ofrohen më shumë për të dhuruar gjak”, tha Vera Gjinaj, koordinator e degës së Kryqit të Kuq Shkodër.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Shkodrës, nevoja për gjak mbetet e vazhdueshme. Në shumë raste, dhuruesit më të shpeshtë janë familjarët e pacientëve që kanë nevojë për transfuzion.
Rezervat e gjakut që sigurohen përmes aktiviteteve të Kryqit të Kuq janë të destinuara kryesisht për pacientët që janë të vetmuar, duke u bërë kështu një ndihmë jetike për ta.
“Në spital kryesisht funksionon me dhurime nga familjarët dhe ka individë që nuk kanë familjarë, dhe aty si Kryqi i Kuq përpiqemi t’i mbështesim këta”, tha ajo.
Për vitin 2026, Kryqi i Kuq synon rritjen e mëtejshme të numrit të dhuruesve përmes fushatave të zgjeruara të ndërgjegjësimit, të cilat do të shtrihen në institucione arsimore, komunitete dhe grupe të ndryshme shoqërore, me synimin për të forcuar kulturën e dhurimit vullnetar të gjakut
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/