E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dhuro Gjak, shpëto jetë”, Administrata e Bashkisë Lushnjë dhurim vullnetar për pacientët në nevojë

Banka e Gjakut pranë Spitalit të Lushnjës ka organizuar një aksion solidariteti për dhurimin vullnetar të gjakut, nën moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”.

Thirrjes humane iu bashkuan punonjës të administratës së Bashkisë së qytetit.

Marjon Prifti, shef i Policisë Bashkiake, u shpreh “Se ide që të shpëton jetë dhe po ndihmon dikë që është në nevojë, është realisht diçka që të bën të ndihesh mirë dhe të motivon për të kryer këtë proces. Të gjithë mund të dhurojnë gjak, kjo është për të mirën tonë dhe për të mirën e njerëzve që kanë nevojë. Secili duhet të japë një kontribut.”

Sasia e gjakut të mbledhur nga Banka e Gjakut në Lushnjë do të përdoret kryesisht për fëmijët talasemikë, të cilët çdo 21 ditë trajtohen në Qendrën e Hemoglobinopative. Sipas mjekes së kësaj qendre, Emira Alizoti, nevojat për transfuzione gjaku janë të mëdha, ndaj dhurimi i gjakut është jetik dhe çdo njësi e dhuruar ndihmon kategoritë në nevojë.

Emira Alizoti, mjeke e Bankës së Gjakut Lushnjë, theksoi: “Zona e Lushnjës është një nga zonat e prekura nga hemoglobinopatitë, përfshirë edhe talaseminë, që kanë nevojë për trajtim. Kjo është jetike për pacientët tanë dhe çdo person që është i shëndetshëm dhe ndihet mirë, është i mirëpritur të bashkohet në çdo kohë për të dhuruar gjak. Është një akt human.”

Dhurimi vullnetar i gjakut nga punonjësit e institucioneve shtetërore plotëson pjesërisht nevojat për pacientët talasemikë. Ndërkohë, numri i të prekurve nga kjo sëmundje, fatmirësisht, po ulet ndjeshëm nga viti në vit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›