Diagnostikim dhe trajtim bashkëkohor për sëmundjet e zemrës në Spitalin Rajonal të Elbasanit

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Shërbimi i Kardiologjisë në spitalin rajonal të Elbasanit është pranë pacientëve, përmes shtrimeve spitalore, vizitave e konsultave urgjente dhe ekzaminimeve të specializuara, që bëjnë diferencën në kohën e duhur.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një postim në rrjetet sociale u shpreh se ky angazhim i jashtëzakonshëm mban firmën e një ekipi të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh me profesionalizëm, përkushtim dhe kujdes i vazhdueshëm për çdo zemër që u beson shëndetin e saj.
Në videon e publikuar nga MSHMS, Dr. Sajmir Shehu shef i shërbimit të Kardiologjisë në spitalin e Elbasanit theksoi se “shërbimi i kardiologjisë është i angazhuar në diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e plotë të rasteve të të gjitha patologjive kardiovaskulare me përgjegjësi maksimale dhe përkushtim të plotë”.
Ndërsa Dr. Eda Peposhi u shpreh se “nëpërmjet ekzaminimeve bashkëkohore përfshirë ekografinë kardiake dhe monitorimin elektrokardiografik ne sigurojmë një vlerësim të veçantë dhe të personalizuar për çdo pacient”.
Dr, Endri Vercani theksoi se “qasja jonë bazohet në standarde profesionale, bashkëpunim ekipor dhe kujdesinë vazhdueshëm për shëndetin e zemrës”.
Shërbimi i Kardiologjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit ofron kujdes mjekësor për banorët e qarkut, duke përfshirë diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës.
/k.s/j.p/