Rrëshqitje e tokës në Gjinar-Liqeni i Pashtreshit, bashkia Elbasan: Kompania do të riparojë dëmtimet

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Bashkia e Elbasanit reagoi sot lidhur me rrëshqitjet e tokës në pjesën fundore të aksit rrugor Gjinar-Liqeni i Pashtreshit duke theksuar se “specialistët e bashkisë edhe ata të kompanisë zbatuese të projektit gjykojnë se rrëshqitja ka ardhur si pasojë e erozionit”.
Në një njoftim për shtyp, bashkia e Elbasanit informon se i është drejtuar për këtë problematikë investitorit dhe firmës zbatuese.
“Në përmbushje të detyrimeve kontraktuale, objekti është ende në afatin kohor të garancisë dhe kompania do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen për riparim. Aktualisht është bërë mbushja e çarjes që ka pësuar pjesa fundore e rrugës për të bërë të mundur kalimin normal të mjeteve. Në asnjë moment nuk është penguar qarkullimi”, theksoi bashkia.
Bashkia e Elbasanit ka marrë garancinë nga firma zbatuese se ndërhyrja përfundimtare do të bëhet e mundur vetëm gjatë muajve të verës, kur niveli i liqenit ulet dhe ndërhyrja është më efikase.
Sipas saj, ndërhyrja do të përfshijë disiplinimin e shtratit të liqenit dhe sistemimin përfundimtar të rrugës.
“Duke iu kërkuar ndjesë përdoruesve të rrugës, bashkia Elbasan garanton se deri në ndërhyrjen përfundimtare, aksi do të mirëmbahet për të qenë lehtësisht i kalueshëm”, u shpreh bashkia Elbasan.
/k.s/j.p/