E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dinamo City kualifikohet në play off-et e Europa Conference League

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Dinamo City është kualifikuar në play off-et e Europa Conference League, pasi eliminoi Hajduk Splitin.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arenën Kombëtare” përfundoi me rezultatin 3-1 për blutë pas 120 minutave lojë. Koha e rregullt mbaroi 1-0 për vendasit, rezultat që barazoi humbjen 2-1 të ndeshjes së parë të luajtur në Kroaci. Goli i vetëm në kohën e rregullt u shënua nga Baton Zabërgja në minutën e 14-të.

Në minutën e 78-të, lojtari i Hajduk Split, Abdoulie Sanyang Bamba, u ndëshkua me karton të kuq pas dy ndërhyrjeve të rrezikshme.

Koha shtesë nisi mirë për kroatët, të cilët barazuan rezultatin në minutën e 99-të me golin e Fran Karačić, duke u afruar më shumë se kurrë me kualifikimin. Por Dinamo City reagoi fuqishëm në shtesën e dytë, duke përmbysur gjithçka. Në minutën e 109-të, Eridon Qardaku shënoi një supergol nga jashtë zone, ndërsa dy minuta më pas Hekuran Berisha e dërgoi për herë të tretë topin në rrjetë, duke vulosur fitoren.

Takimi u mbyll me rezultatin 3-1, ndërsa në totalin e dy sfidave Dinamo City triumfoi 4-3, duke siguruar kalimin në fazën play off të Europa Conference League, aty ku do të ndeshet me polakët e Jagiellonia.

Dinamo City-Hajduk Split, Foto: Agim Dobi 1 nga 6

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›