SHBA – Trump: Evropianët pjesë e një samiti të dytë me Putinin

UASHINGTON, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump la të kuptohej sot se udhëheqësit evropianë mund të ftohen në një takim të mundshëm të dytë me presidentin rus, Vladimir Putin, në të cilin ai tha se duhet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Do të kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do të sjellim disa nga udhëheqësit evropianë me vete. Ndoshta jo”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Trump është planifikuar të takohet me Putinin të premten në një takim që presidenti i SHBA-së e ka minimizuar, duke thënë se është kryesisht për të vendosur bazën për një samit të dytë.
Fokusi i takimit të së premtes do të jetë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi një sulm në shkallë të plotë kundër fqinjit të saj.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump pretendoi se do ta përfundonte luftën shpejt.
Tani ai deklaroi se beson që Putini dhe Zelensky do të bënin paqe.
Kur u pyet nëse do të binte dakord për një reduktim të trupave të NATO-s në Evropë për t’iu përshtatur Rusisë, Trump tha se një propozim i tillë nuk i ishte paraqitur ende.
“Do ta mendoj këtë për më vonë”, tha ai./ a.jor.