Diplomohen 27 trajnerë në kursin për licensën UEFA C

Në këtë edicion morën pjesë edhe disa emra të njohur të futbollit shqiptar, si Alban Hoxha, Klajdi Kuka dhe Shkëlzen Ruçi, por edhe raste të veçanta frymëzuese, si ai i Sabail Gjylit nga komuniteti i fëmijëve jetimë.
Në kuadër të përgjegjësisë sociale, Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë mundësinë Sabail Gjylit të ndjekë falas kursin UEFA C, duke mbështetur pasionin dhe dëshirën e tij për t’u formuar si trajner futbolli.
“Jam Sabail Gjyli nga Durrësi, nga komuniteti i fëmijëve jetimë. Kam ardhur në këtë kurs për pasionin dhe dashurinë që kam për futbollin. Falënderoj shumë Departamentin e Edukimit në FSHF që më dha këtë mundësi për certifikimin si trajner. Duke qenë se disponoj edhe statusin e fëmijës pa përkujdes prindëror, ky kurs u sigurua falas nga Federata Shqiptare e Futbollit. Jam shumë i kënaqur nga stafi, trajnerët dhe kolegët e kursit. Synimi im është që të ndjek edhe kursin UEFA B, për të ecur përpara drejt ëndrrës që kam pasur që i vogël për të drejtuar një ekip futbolli”, u shpreh Sabail Gjyli për fshf.org.
Të diplomuarit me licensën UEFA C mund të ushtrojnë profesionin e trajnerit në futbollin amator, si edhe të punojnë si zëvendëstrajnerë në ekipet e moshave që marrin pjesë në garat e organizuara nga FSHF.
/a.f/r.e/