Dita Botërore e Tokës, Denaj: Politika mbështetëse për mbrojtjen e mjedisit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Në Ditën Botërore të Tokës, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi rëndësinë e mbrojtjes së tokës, ndërsa garantoi se qeveria do të vijojë me politikat për mbrojtjen e mjedisit.
“Dita e Tokës na kujton se toka është më shumë se një burim, është themeli i jetës, ushqimit dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Në çdo farë të mbjellë, në çdo prodhim të certifikuar, në çdo politikë që mbështet fermerët tanë, është përkushtimi ynë për ta mbrojtur dhe zhvilluar këtë pasuri të çmuar. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është çdo ditë në terren për të garantuar një bujqësi të qëndrueshme, tokë të shëndetshme dhe një Shqipëri që prodhon më shumë, me cilësi dhe në harmoni me natyrën. E ardhmja e gjelbër nis me tokën. Të gjithë bashkë për ta ruajtur”, tha ajo.
Dita Botërore e Tokës, e njohur gjithashtu si Dita Ndërkombëtare e Tokës, festohet çdo vit më 22 prill. Kjo ditë ka origjinën në vitin 1970, kur senatori amerikan Gaylord Nelson organizoi një ngjarje masive për të rritur ndërgjegjësimin për mjedisin dhe për të nxitur veprime konkrete për mbrojtjen e tij.
Në vitin 2009, Kombet e Bashkuara e shpallën 22 prillin si Dita Ndërkombëtare e Tokës, duke e njohur Tokën si “shtëpinë” tonë dhe duke theksuar nevojën për të promovuar harmoni me natyrën dhe planetin tonë”.
Sot, Dita e Tokës është një ngjarje globale që përfshin aktivitete të ndryshme si pastrimi i hapësirave publike, mbjellja e pemëve, seminare edukative dhe fushata ndërgjegjësimi për ndryshimet klimatike, riciklimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.
/r.e//a.f/