E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama nga Gjirokastra: Negociatat me BE i mbyll vetëm unë me Partinë Socialiste

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me vajza dhe gra socialiste të Gjirokastrës tha se vetëm me PS, Shqipëria mund të jetë pjesë e BE.

Kryeministri Edi Rama apeloi sot nga Gjirokastra për një votë masive përtej të majtës dhe të djathtës, me qëllimin e vetëm anëtarësimin në BE dhe kapjen e afateve për negociatave, pasi “dera e hapur e BE mund të mbyllet me kënetën”.

Fjala e plotë kryeministrit Rama gjatë takimit me gra dhe vajza të Gjirokastrës

E vlerësoj shumë! Ka lezet shihe, juve ulur ata në këmbë, ata janë burra ka lezet. Ju jeni burra, se është bërë një çik kështu kjo puna, ça do të thotë Edi Rama me këtë të burrave, gjysma kështu, e gjysma ashtu. Po unë mendoj që është shumë e thjeshtë apo jo?

Gjithsesi shumë faleminderit dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që jemi së bashku. Arsyeja pse unë e kam vendosur së bashku me drejtuesit, drejtueset politike të Partisë Socialiste që në këtë xhiro të parë këtyre ditëve drejt finishit të bëjmë këto takime të mëdha me gra e vajza, është sepse së pari unë jam shumë krenar për faktin që sot Partia Socialiste ka këtë fuqi të madhe të grave dhe vajzave që i është bashkuar fuqisë së burrave dhe djemve që ka qenë këtu gjithmonë.  Pikërisht duke  pasur parasysh se nga sa larg e kemi nisur këtë revolucion gjinor brenda kësaj partie unë mendoj që kemi gjithë arsyet e botës që të jemi së bashku krenar, por që të mos ndalemi këtu.

Kemi arritur të kemi 40 % gra dhe vajza në Partinë Socialiste që është një shifër e konsiderueshme, por nuk duhet të ndalemi deri kur të bëhet 50 % dhe unë them nuk duhet të ndalemi kur të kemi 1 grua ose vajzë më shumë se burrat dhe djemtë.

Në ndërkohë se e kam thënë këtë gjë disa herë sot, por nuk rri dot pa e thënë këtu, se mendoj që është edhe një mënyrë për të shpjeguar disa gjëra. Jam çuar sot në mëngjes herët pa fjalë për shkak se mbrëmë, pasi i mbaruam të gjitha e mbasi mbarova dhe ato që kisha për të bërë të tjera vetë, isha interesuar pak se në një nga kanalet televizive ishte njeriu i sondazheve të Donald Trump, i cili është një nga sondazhistët më të mirë të Amerikës dhe për hir të vërtetës në Amerikë ai këmbëngulte që opinioni publik anonte nga Trump, ndërkohë që shumica dërrmuese e sondazheve, këmbëngulte të kundërtën, e në fund i doli fjala, por isha kurioz të shikoja ca kishte nxjerrë ai si konkluzion nga anketimi i parë. Dhe duke qenë se unë nuk shoh televizor kur është fjala për këto sallonet, berberhanet e natës ku mblidhen tërë ata dhe shtrihen nëpër kolltuqe dhe bëjnë komente dhe analiza me demek se si po shkojnë punët e Shqipërisë që nga 2009-a, nuk i shoh. Ndonjëherë shumë rrallë, kjo ishte hera e dytë, mbas ca kohësh, futem në YouTube dhe shikoj kështu pjesë. Edhe hyra dje aty dhe kapa një pjesë që ai kishte marrë opinionet e publikut edhe kishte nxjerrë si përfundim që 50 %  e shqiptarëve mendojnë që vendi po ecën në drejtimin e duhur. Ndërkohë që një pjesë tjetër, 40 e diçka nuk e kam parasysh mirë, mendojnë që po ecën të jemi gabuar dhe tjerët s’kishin mendim. Pra, gjysma ishin në idenë që vendi po ecën në drejtimin e duhur. Që është një gjë shumë domethënëse dhe për hir të vërtetës në kohën e sotme është shumë e rrallë.

Dhe gjëja që më la pa fjalë, nuk po arrija të kuptoja nëse vërtetë po i dëgjoja ato komentet e atyre që ishin mbledhur atje, edhe që kishin dhe vërejtje që pse them unë, që gjysma e burrave janë çyryk, po ndërkohë ata po i thoshin ato gjëra. Ata po e vërtetonin me fjalët e tyre atë që them unë, sepse jepni tani argumentat pse gjysma e popullit, si ka mundësi që shumica e popullit mendon që vendi po shkon drejtimin e duhur, se ata mendojnë që vendi shkon në atë drejtim që kanë ata në kokë. Shpjegimi që më habiti fare ishte: “kjo tregon që populli është i sëmurë”. Po e thënë kështu siç po ju them unë, “kjo tregon që populli është i sëmurë”. Pra, populli është i sëmurë, pse mendon që vendi po shkon në drejtimin e duhur, ndërkohë që këta tipa nuk kishin asnjë dyshim se mbase janë këta që nuk janë mirë në mënyrën si gjykojnë.

Tjetri thoshte, nëse këtu nuk janë të sëmurë, atëherë këtu duhet të jetë një frikë shumë e madhe, e thonë nga frika. Se ça drejtimi të duhur ka këtu? Këtu çdo gjë është keq, bile s’ka qenë kurrë më keq.

Tjetri i thoshte, kjo tregon që Rama i ka blerë, ka blerë popullin, domethënë, dhe kjo është Shqipëria e moçaleve mediatike ku kudo ku prek, merr mbrapsht një dumë shumë të rëndë kënete realisht.

Tani dakord, le ta marrim nga populli, “shumica e popullit janë të sëmurë”, “është i sëmurë populli”, “sepse populli kështu e do”, “se populli nuk kupton”, ndërkohë që ky popull të jep ujë në bishte të lugës. Ndërkohë që vetëm këtë popull nuk e sorollat dot kur vjen puna për politikë, po le ta marrim që kështu.

Po Bashkimi Europian që ka makinerinë më të llahtarshme të kontrollit, që është Komisioni Europian dhe që ndjek vendet këmba këmbës për të gjithë parametrat dhe që na ndjek edhe ne. Si ka mundësi që kur ne e morëm detyrën na shikonin edhe na dëgjonin, e keni parasysh kur shikon dhe dëgjon dikë që duhet ta dëgjosh, po thua, aman, mbaro tani se kam punë tjera, ja, kështu na shikoni ne. Nuk kishin asnjë respekt, asnjë besim për ne dhe ju e dini shumë mirë pastaj që kjo ishte e lidhur me gjithë mungesën e respektit dhe të besimit tek vetë shqiptarët, që ishin bombarduar nga të katër anët me gjithfarë lloji paragjykimesh dhe gjithfarë lloj trillimesh.

Si ka mundësi që këta sot kanë arritur në përfundimin që e duan Shqipërinë brenda në familjen e përbashkët europiane, janë të sëmurë? Po këto institucionet e mëdha ndërkombëtare, që monitorojnë ekonominë, që monitorojnë financat, që monitorojnë të gjithë proceset që lidhen me administratën, si shpjegohet që i japin kaq shumë konsiderata të mira për Shqipërinë, janë të sëmurë edhe këta?

Po organizatat që merren me matjen e luftës kundër korrupsionit, si shpjegohet që japin vlerësime gjithnjë e më pozitive dhe këta janë të sëmurë? Apo janë të tërë të blerë dhe këta? Po si shpjegohet që dhe vetë sondazhisti i Donald Trumpit jep këtë konkluzion? Apo dhe ai është blerë nga Sorosi? Shpjegimi është i thjeshtë, këta njerëz nuk e dinë fare edhe kur e shohin, nuk duan ta shohin Shqipërinë reale që ndryshon çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë.

Unë dje erdha me Mirelën  në Gjirokastër që nuk jemi akoma në sezon dhe gjithë Qafa e Pazarit ishte plot dhe nuk ishim as në fundjavë, nuk ishte dje fundjava, ishte fillim jave dhe në ndërkohë shtohen e shtohen dyert që hapen në këtë qytet që kur ne e kemi filluar detyrën kishte 2-3 dyer ku mund të trokisje për të fjetur dhe ata që i mbanin hapur përpëliteshin, faktikisht, në mbijetesë sepse nuk kishin numra turistësh për të nxjerrë ndonjë fitim siç nxjerrin sot të tërë çfarë kanë hapur dyert këtu, pa llogaritur që në Përmet as nuk i shkonte mendja njeriu të shkonte të ndalonte dhe Përmeti ta mbylli vitin e kaluar me 150 mijë turistë, Gjirokastra me 600 mijë. Po Libohova, që kur kemi shkuar në fillim në Libohovë unë jam shastisur komplet, një vend i braktisur totalisht ku kishte vetëm një kafene aty diku ku sot ka bujtina pas bujtinash që hapen. Të mos flasim për Tepelenën që ishte një xhep fallco ku njerëzit vinin vetëm për ngushëllime ose për ndonjë dasëm dhe ata që martoheshin iknin. Imagjinoje, ma ka thënë Tërmeti njëherë “Komandant, nuk e kishim imagjinuar të shikonim bjonde nga Suedia ne duke bërë xhiro nëpër Tepelenë”. Bjonde, sybojëqielli, suedeze duke bërë xhiro përpara Ali Pashait, nuk e kishin imagjinuar e deri në Memaliaj.

Kjo Shqipëri është një Shqipëri që është krejt tjetër. Pastaj, kur thonë “Po nuk ka mundësi, është i sëmurë populli sepse këtu nuk ka ujë” ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Tani po vijmë nga Përmeti dhe faktikisht, në Përmet qyteti, fshatrat, një numër i madh fshatrash kanë ujë 24 orë, nuk e kishin dhe nuk e kanë pasur kurrë më parë të gjitha këto zona, si e gjithë Shqipëria.

Pa folur për infrastrukturën e për gjithë transformimet e tjera që faktikisht kanë kthyer jo thjesht jetën por kanë kthyer shpresën dhe kanë bërë që shumëkush që ishte nisur për Greqi dhe as nuk e mendonte që do kthente sytë nga këto vende përveçse siç thashë, për ndonjë ngushëllim, larg qoftë, apo për ndonjë dasëm, të mendojë të kthehet dhe të investojë.

Ja tek e kemi, kandidat për deputet një rast tipik, është kthyer dhe tani rri këtu në Gjirokastër ku familja ka bërë një investim që është një nga investimet e bukura të qytetit. Si i bëhet? Si i bëhet sepse realisht është një Shqipëri e ndarë midis një shumice dhe një pakicë si një tru i ndarë, është si një tru i ndarë dhe prandaj them unë që andej nga ana tjetër e trurit ka një problem, ka ujë kënete brenda sepse nuk ka mundësi, mund të kritikosh sa të duash, mund të kesh rezerva plot, unë jam i bindur që nëse juve rrini me mua dhe unë rri me ju dhe flasim tre ditë e tre netë këtu, me siguri do thoni shumë gjëra që nuk shkojnë, patjetër, por ama, të thuash që është populli i sëmurë apo që i ka blerë Edi Rama të tërë se nuk ka kuptim kjo punë ndërkohë që Shqipëria është bërë një vend që e respekton tërë dynjaja e ndërkohë që ne në 11 maj kemi zgjedhjet dhe në 16 maj do presim tek Skënderbeu atje tërë udhëheqësit e kontinentit, jo të BE-së por të tërë kontinentit, nga Londra në Ankara, BE-ja po e po, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, drejtuesit e institucioneve të mëdha financiare ndërkombëtare do jenë të gjithë në Tiranë për Samitin e Europës  Politike. E imagjinonim që do ndodhte kjo në të gjallë tonën?

Kush e ka imagjinuar, ka qenë pak i çmendur por jo çyryk.

Isha me Kristinën e kuajve, i thashë asaj “Kristina ne të dy jemi çyrykë, por të çmendur në kuptim tjetër” sepse njësoj si ajo, edhe ne me Shqipërinë nga u nisëm si Kristina me ata kuajt atje lart që sot janë bërë një atraksion I madh në majë të malit.

Këtu ka një problem shumë të madh sepse është marrë peng, është marrë peng një pjesë e trurit të popullit shqiptar, një pjesë e trurit të popullit përmes pengmarrjes së një pjese njerëzve, siç thotë ajo shprehja “Kanë kaluar një lavazh të thellë të trurit dhe nuk e shohin edhe atë që shohin, janë më të verbër se të verbërit, janë më të shurdhët se të shurdhët se nuk ka më të verbër dhe të shurdhët se ai që ka sytë e nuk do të shikojë dhe ai që ka veshë e nuk do të dëgjojë.

Pastaj thonë “Si ka mundësi, po ky popull kaq i sëmurë, ky popull kaq i shitur, ky popull kaq ordiner, kaq pa aspiratë që pranon që mund t’i japë mandatin e katërt një njeriu dhe një partie që ka gjysmën e njerëzve në burg” shiko çfarë shprehje. Ndërkohë që unë i bëra pyetjen sot pensionistëve që takova në mëngjes sepse për mua pensionistët janë analistët më të mirë politikë që ka Shqipëria. Unë po të organizoja debate nuk do lija debat pa një analist pensionist, janë shumë më lart se ata që I thonë vetes analistë. Ata që i thonë vetes analistë janë fundi, janë fundi fare, nuk kanë fare ata as din as iman në raport me të vërtetën, fare. Po ju thosha pensionistëve dhe po jua them dhe juve “Ngrini dorën kush e ka dëgjuar emrin Altin Dumani”. Kush e ka dëgjuar emrin Altin Dumani? Të tërë e keni dëgjuar, të tëra e keni dëgjuar.

Tani, Altin Dumani është një prokuror me integritet nuk diskutohet, profesionist nuk diskutohet dhe kurajoz nuk diskutohet, patjetër, dhe meriton të gjithë respektin dhe solidaritetin për gjithë ato sulme që i bëjnë, por çështja është që Altin Dumani nuk erdhi nga hëna këto 2-3 vjet, ishte këtu, ishte në Shqipëri, ishte në Tiranë e nuk e di ku ka qenë tjetër dhe prej vitesh punonte prokuror. Si ka mundësi që as unë, as ju nuk e dinim që ekzistonte një person me emrin Altin Dumani? Si ka mundësi që ky prokuror i ndershëm, kurajoz, profesionist, në gjithë ato vite në Prokurori nuk ka thirrur një njeri të vetëm me pushtet e t’i thotë “Hajde pak këtu të të marr pak në pyetje sepse më duket se ka disa gjëra që nuk shkojnë me ty”.

Si ka mundësi? Dhe si ka mundësi që ky e bën këtë gjë sot dhe jo vetëm ky, por e gjithë struktura atje?

Dhe çfarë e ka bërë këtë dallim? Si ka ndodhur kjo, sepse nuk ishte puna se nuk thërriste njeri Altin Dumani ose prokurorët e kësaj gjenerate, puna ishte që nga nëntori 1912 kur është ngritur flamuri i Pavarësisë nga perandoria dhe është krijuar shteti shqiptar, nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një person i lidhur me pushtetin politik të shkonte të përgjigjej përpara një gjykatësi ose prokurori të pavarur. Kishte ndodhur, po, ka ndodhur që të pushkatohen, të varen, të burgosen, të sakatohen, por ama qoftë para mbretërisë, qoftë gjatë mbretërisë, pastaj gjatë diktaturës pastaj dhe pas diktaturës kur për turpin tonë si vend demokratik burgosëm politikisht dhe e burgosi i pari i vendit, kryetarin e opozitës, i fundit i burgosur politik në Shqipëri ndërkohë që e kundërta jo, nuk mund të imagjinohej, këtu në këtë vend dhe jo para 100 vjetësh po para 10-12, 14 vjetësh, 15 vjetësh ka ndodhur që i pari i vendit të bëjë sehir, po e them kështu se në fakt s’ka bërë sehir, ka bërë më shumë se sa sehir në vrasjen e protestuesve përpara dritares së vet. Dhe kur prokurori i përgjithshëm, në atë rast një grua, ka tentuar thjesht t’i çojë fletëthirrje 3 drejtuesve të Policisë për t’i thirrur, për t’i pyetur, ai që ishte aty para meje doli dhe tha ‘’ajo është një lavire’’ dhe nuk lejoi që drejtësia t’i merrte në pyetje 3 drejtuesit. E imagjinonit sot ju këtë? E parafytyroni sot që të bëhet një gjë e tillë, që të dalë unë atje dhe të them ‘’nuk mund ta marrë drejtësia në pyetjet filanin apo fistekun’’, nuk ndodh. Po ça ka ndodhur, ça ka ndryshuar? Ka ndryshuar diçka shumë thelbësore, ka ndryshuar Shqipëria, ka ndryshuar komplet drejtimi dhe prandaj thonë shumica e popullit kur e pyet ai sondazhisti i Donald Trumpit që vendi po shkon në drejtimin e duhur sepse ne dhe jo Stamo Dumua se ju e njihni mirë Stamon. Jo Stamo Dumua, ne Partia Socialiste morëm një vendim që nuk e ka marrë kush përpara. Morëm vendimin që punët e drejtësisë t’ia linim drejtësisë dhe shpatën e ndëshkimit që në një vend demokratik e ka drejtësia dhe nuk e ka qeveria dhe që  ishte në zyrën time shpata q ë nga 1912, aty, ia kalonin njëri-tjetrit njëri pas tjetrit e mbanin aty, mbret, diktator, nuk ka rëndësi, kryeministër, e mbanin shpatën aty. Unë e dorëzova shpatën dhe ju e kujtoni se ju jeni të vëmendshme, s’ju shpëton gjë se jeni gra, jeni vajza por jeni dhe gjirokastrite që është plus kjo, që juve s’ju shpëton thërrimja e bukës, jo t’ju shpëtojnë fjalët e partisë.

Ju e kujtoni mirë, unë e kam thënë qysh në krye të herës, na duhet një reformë në drejtësi që të çlirojmë drejtësinë nga politika dhe na duhet një drejtësi e çliruar nga politika që të shohë vetëm drejt dhe të godasë majtas dhe djathtas. Tani majtas për kë e kisha unë, për Stamo Dumon? Për kë e kisha majtas apo kisha ndërmend që unë të bëja reformën në drejtësi dhe unë të ikja në punën time. Sepse kjo është puna ime dhe jo vetëm që unë nuk kam asnjë kompleks kur këta çyrykë turren dhe përpiqen të manipulojnë miletin ,si ka mundësi? “Gjysmën e qeverisë në burg”, që s’është as e vërtetë kjo, se po t’i marrim e t’i bëjmë llogaritë është ndryshe, se kam pasur mbi 60 ministra unë, ndërkohë që po t’i numërojmë del ndryshe numërimi por dhe sikur të ishin gjysma, do ishte një arsye për t’ u ndjerë të turpëruar apo do ishte një arsye për t’u ndjerë kryelartë përpara jush, përpara popullit që besoi kur unë thosha ‘’ma jepni timonin pa të tjerë në prehër që të bëjmë drejtësi se me këta rreth e rrotull, nuk bëhet drejtësi dhe ata që më dhanë timonin, sot nëse drejtësia do godiste thjeshtë kundërshtarët, do thoshin na tradhëtoi. Sepse ju dhe të gjithë socialistëve, të gjithë progresistëve dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi , edhe demokratëve patjetër nuk u intereson shumë, nëse drejtësia godet majtas apo djathtas. Juve ju intereson që të kemi një drejtësi të drejtë e cila pikërisht sepse godet majtas e djathtas, ka premisën që të sjellë këtu në Shqipëri diçka që ne s’e kemi pasur kurrë, barazinë para ligjit. Kurrë s’e kemi pasur, kurrë. Dhe jemi në ushtrimet e para të barazisë para ligjit dhe prandaj vij tek ajo tjetra që them; te pasaporta europiane, tek anëtarësimi në BE sepse barazinë para ligjit shqiptarët e sotëm, ju nënat e sotme, nuk mund ta lini në dorë kush vjen tek kryeministria e kush merr pushtetin këtu sepse siç e shikoni, edhe sot që flasim nuk kemi dakordësi ne. Nuk mendojmë të gjithë njësoj për drejtësinë. Ne mendojmë që drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe duhet të vazhdojë të bëjë punën e vet dhe jemi këtu për të garantuar SPAKU –n e gjithë institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre pavarësisht sa na dhemb ne ndërkohë që të tjerët thonë ‘’në 11 maj do ta shkrijmë SPAKU-n. Pra rreziku që kjo të bëhet një lojë se ka qenë 100 e kusur vite, është shumë i madh. Ka vetëm një mënyrë që të mos bëhet lojë , ka vetëm një mënyrë që ju, të gjitha gratë, nënat shqiptare pastaj bashkë me burrat, të gjithë prindërit shqiptarë, nëna e baballarë, ta merrni Shqipërinë në dorë në 11 maj dhe t’i jepni shtysën që i duhet që kur ta fusni me investimin tuaj dhe me punën tonë në BE, të rrini të qeta se kush hyn në BE, nuk luan dot më me barazinë para ligjit, nuk ka më. Sepse futesh në një familje ku nuk të lënë të hedhësh vallen sipas qejfit. Do ta hedhësh vallen sipas vendit aty, prandaj BE nuk është për ne një nga opsionet, është i vetmi opsion sepse liria individuale në Shqipëri sot duket si e mirëqenë, nesër mund  të kërcënohet. Barazia para ligjit nuk do bëhet dot, nuk e bëjmë dot ne. Nuk kemi kapacitet ne sot që ta bëjmë një herë e mirë dhe ta vulosim. Do bëjmë lojëra ne. Do vijë një tjetër, do shkojë një tjetër, nuk është çështja e Edit këtu apo e një grupi, këtu është çështja që mos guxojë kush t’i afrohet, fare dhe është BE që e garanton këtë gjë pa llogaritur faktin që kur unë flas, se këta çyrykët thoshin  “ç’është ky hall i madh me këtë njeri, ça janë këto fushata. S’ka program, s’ka asgjë. Një herë thotë tepsi, një herë thotë timon, pastaj thotë kënetë, buf, pasaportë. Tani- thonë, ka nxjerrë dhe pasaportën se s’ka ça thotë m뒒.

Unë s’kam ça them më ? Unë? Ne s’kemi ça themi më? Po ne vetëm, më besoni se i shikoja sot , ne vetëm punët, investimet që kemi bërë në qarkun e Gjirokastrës, të fillojmë t’ i numërojmë , një nga një, ne mund të rrimë këtu deri nesër ndërsa për të numëruar një nga një të tëra ça kemi bërë në të gjithë Shqipërinë, në çdo drejtim , ne mund të rrimë përtej 11 majit. S’paskemi ça themi!

Po ajo pasaporta nuk është një dokument tjetër udhëtimi me një ngjyrë më të kuqe. Ajo pasaporta është një status i ri për këtë gjirokastriten e vogël këtu që të ka bërë mami me babin me kursim të madh, të vogël, të vogël kështu, kanë kursyer të vogël, por e kanë bërë koncentratin e dashurisë dhe të ëndrrave për ty dhe ke dalë flori fare. Por ky floriri i vogël këtu, nëse nesër, shpresoj je maturante, do të shkojë me studime jashtë vendit do shkojë si studente e huaj. Dhe mami me babin do duhet të paguajnë 10 herë më shumë që ti të studiosh jashtë se sa do të paguanin nëse ti do ta kishe atë pasaportën europiane sot sepse kur fëmijët tuaj të shkojnë në Europë për të studiuar me atë pasaportë, nuk kanë asnjë tarifë ekstra se nuk janë më të huaj. Janë studentë europianë, njësoj si të tjerët në të njëjtin perimetër. Siç është qarku i Gjirokastrës me bashkitë e veta është dhe BE me vendet e veta dhe brenda BE vendet janë njësoj siç janë këtu brenda qarkut. Shkon ku të duash, vete e vjen sa herë të duash. Ndërkohë që sot ju e dini shumë mirë, të ndalojnë atje dhe fillo historia. “ku po shkon, sa do rrish, kush të ka ftuar, a ke lek me vete, sa lek ke, po ke hotel’, dhe ti s’ke hyrë akoma thonë “kur do ikësh”. Sepse je i huaj. Ajo pasaportë e ndryshon tërësisht këtë gjë.

Ju keni të afërm, keni familjarë, keni komshinj, keni njerëz të njohur, krushqi në Greqi, ju e dini shumë mirë që tani, ata të parët që vajtën e kanë mendjen tek pensionet, tek njohja e pensionit se iu ka ardhur koha e pensionit. Ca kanë dalë në pension, ca po dalin. Kanë punuar atje me shumë sakrifica dhe nuk iu njihen vitet e pensionit. Vijnë këtu, iu del pensioni i vogël fare se këtu s’kanë dhënë kontribute dhe kjo është një histori negociatash me Greqinë, me qeverinë siç bëmë me Italinë, por nuk është e lehtë, mund të marrë vite. Ndërkohë që, futja në BE dhe ajo pasaportë e di çfarë bën për ata. Në momentin që ata marrin pasaportën shqiptare të BE është automatikisht e pabarazvlefshmen në Greqi me pasaportën greke, nuk iu duhet më pasaportë greke atyre, fare, për asnjë gjë vetëm për një gjë iu duhet, nëse duan të zgjidhen deputet në Greqi.

Po për tu zgjedhur kryetar bashkish e kryetar komunash e kryetar këshillash apo dhe eurodeputet shqiptar, me pasaportë shqiptare të BE  ama në Greqi, mund të zgjidhen dhe në Itali dhe kudo qoftë.

Pra rruga më e shkurtër për t’i mbyllur të gjitha historitë që kanë ata atje është të investojnë në 11 maj. Ne të mbyllim negociatat deri në 2027, Shqipëria të futet në BE dhe të gjithë të marrin pasaportën. Kjo është rruga më e shkurtër.

Dhe e fundit që kam se realisht është, se s’po e them çfarë më erdhi në gojë tani por e fundit që kam është kur thonë “po ç’është kjo histori me këtë njeri”. Me mua domethënë se me mua e kanë të gjithë. se unë jam pengesa mes atyre dhe jush se po më hoqën mua nga rruga, kthehen gjërat prapë aty ku ishin. Dhe ata nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse ti kthejnë andej nga ishin, këneta. C ‘është kjo punë thonë, tre mandate nuk i dolën këtij për të futur Shqipërinë në BE, tani thotë më jepni dhe një tjetër të katërtin. Po mirë dakord, nuk e arrita unë këtë gjë s’isha i zoti, tre mandate dhe unë po bëj kot tani po them më jepni dhe një tjetër që t’ju gënjej juve se populli i sëmurë shqiptar siç thonë ata me pasaportën dhe t’ju marr mendjen me vallen. Po kur thonë “c ‘janë këta që hedhin valle”. Se duhet të shkojmë të mbajmë zi ne. Ne kur mblidhemi duhet të mbajmë zi se ne Shqipëri s’ka bukë sipas atyre. Po mirë dakord, po Mali i Zi? Unë skam qenë kryeministër i Malit të Zi. Mali i Zi i ka hapur negociatat për të hyrë në BE në vitin 2012, para sesa unë të isha këtu kryeministër. Pse nuk është në BE? Sa mandate kanë kaluar atje? Dhe pse atje nuk i thotë njeri kryeministrit apo atij që ishte më përpara, për fajin tënd nuk hyjmë në BE. Nuk i thonë. Po Serbia, i ka hapur negociatat në 2014, ne akoma s’kishim marrë statusin e kandidatit. Ata hapën negociatat. Pse nuk është në BE? Po jo nuk është në BE Serbia, Serbia tani është mbrapa nesh. Ne e shikonim Serbinë si të shikosh nga këtu atë kullën atje. Ishim shumë mbrapa. Tani ne jemi atje, Serbia është këtu. E kemi lënë mbrapa. Pse?

Po Maqedonia që ndërroi dhe emër? Imagjinoni ju të ndërrojë Shqipëria dhe emër dhe të mos hapë dot negociatat? Ja kështu. Në 2005 e ka marrë statusin kandidat. Ne negociatat i kemi hapur dhe i hapëm vjet jo se meritonim vjet por meritonim t’i hapnim 4-5 vjet përpara, Komisioni që bënte vlerësimin thoshte janë në rregull, hapjani. Mblidheshin vendet, dilte Holanda këtej, i dini historitë. Sepse ata janë një familje ku mblidhen të gjithë dhe vendosin kur hapin derën. Nuk e hapin dot derën me shumicë. Duhen 27 veta, janë aty brenda, duhen 27 vet të thonë hapeni derën të vijë dikush tjetër, ndryshe nuk hape dera. I hapën negociatat vjet dhe tani na kanë dhënë në tavolinë planin, e keni dëgjuar, e thonë vet ata se po ta kisha thënë vetëm unë kushedi çdo dëgjonit, por e thonë vet për ti mbyllur në 2027. Për tre vjet. Nuk ka ndodhur kurrë për asnjë nga vendet ish komuniste që tre vjet të mbyllin negociatat. Na i kanë vënë planin në tavolinë dhe është në dorën tonë që ti mbyllim për tre vjet dhe nëse i mbyllim për tre vjet hyjnë në procesin e miratimit në parlamentet e tyre dhe hyjmë në BE. Domethënë kemi ardhur tek momenti që na ka sjellë neve fati në dorë, mundësinë që të mbyllim atë gjë që ka filluar që me Skënderbeun si profeci që ne duhet të jemi në Europë jo në Azi, ka vazhduar me rilindasit që na lanë shprehjen e famshme, “dielli për ne lind andej nga perëndon”. Dhe me gjithë të tjerët, tani na ka ardhur neve këtu në dorë por dhe mund ta humbim ne këtë. Ajo derë mund të mbyllet se ajo derë është hapur dhe është mbyllur gjatë gjithë këtyre 30 viteve. Hyn aty kush është gati në momentin kur ajo hapet. Po the prit se kemi ca muhabete të tjera ne se do zgjidhim me kënetën, ca histori të tjera. Ne nuk hyjmë, dera mbyllet. Tani cili është problemi im kur them duhet një shumicë e fortë? Sepse negociatat janë llogariteni 1000 vet nga ana jonë, 1000 vet nga ana e tyre në zyra sipas sektorëve nga ekonomia tek drejtësia, tek tregu, te siguria, te peshqit, te zogjtë, te mjedisi, te ujerat, gjithçka. Çdo gjë që ka kjo jetë në shtet jashtë dyerve të shtëpisë. Çdo gjë!

Janë mbi çerek milionë faqe që duhen kaluar dhe përcjellë, duhet rënë dakord dhe pastaj pasi bie dakord ne duhet t’i përkthejmë në vendime, në ligje me shpejtësi. Tani kemi ne mundësi që mbasi të biem dakord me ta të vijmë në parlament dhe të merremi me bufin e kënetës dhe me ca kukumjaçka e me ca bretkosa atje që fillojnë ato historitë që i dini ju dhe që vetëm atë dinë të bëjnë dhe prandaj janë aty dhe prandaj në 11 maj do të humbasin më keq sesa c ‘humbën 4 vjet më parë dhe më keq seç kanë humbur që nga ’97 e këtej sepse atë meritojnë. Nuk kemi. Dhe kjo nuk është një çështje 71 votash se po të jetë për 71 vota nuk e bënim kështu fare fushatën, e bënim ndryshe. Thjeshtë mbaronim punë. Nuk është çështja e një shumice aritmetike. Çështja është e fuqisë për të mos lejuar pengimin e agjendës së negociatave. Dhe prandaj unë besoj, që demokratët, ata që janë prindër, duhet ta shohin si prindër. Është një votë që investohet dhe është konkrete. Ti e investon votën, dhe merr pasaportën europiane për vete dhe për fëmijët e tu dhe për familjen tënde. Është shumë konkrete dhe nuk ka fare rëndësi. Dhe unë prandaj sjell shembullin e PD-së në mars të ’92-shit. Edhe këtu, shumica ka votuar PD-në atëherë.

Shumica PD-në e kanë votuar sepse si gjithë Shqipëria mori një vendim, shqiptarët, nuk ka rëndësi PD-ja apo bufi që ishte atëherë sepse nuk ishte bërë buf akoma. Për mua ishte buf që kur e kam parë herën e parë atë, por u desh vite e vite që ta shikonte shumica dhe pastaj gjithë dynjaja që është buf, por nuk kishte rëndësi.

Ishte koha e duhur, vendi i duhur për të mbyllur kapitullin e gjatë, të dhimbshëm të historisë tonë me të shkuarën dhe për ta përcaktuar drejtimin e Shqipërisë me të ardhmen që ishte Europa. Dhe shqiptarët vajtën dhe atë kishin aty, nuk kishin tjetër. Kë të votonin? Nuk kishin mundësi tjetër dhe votuan Partinë Demokratike, shumicë dërrmuese.

Kaq e vërtetë është kjo që po them, që në gusht, kur ndodhën zgjedhjet lokale, në mos gabohem në gusht, po atë vit, PD-ja mori një goditje të kundërt me atë përkëdheljen që kishte marrë.

Domethënë shumica e votuan kundër, pastaj në referendum e shkatërruan fare. Ishte një vendim përtej partive, përtej tifozllëkut, përtej “më pëlqen, s’më pëlqen”.

Se nuk ka rëndësi fare, – po ja u them atyre – që ju pëlqen s’ju pëlqen Edi Rama, nuk ka pikë rëndësie.

Rëndësi ka një pyetje që duhet t’i jepni përgjigjen e duhur. A doni që t’i mbyllim negociatat? Po! Negociatat i mbyll vetëm unë me Partinë Socialiste! Nuk i mbyll dot njeri tjetër! Se nuk ka as kohë! Një lëvizje, një lëkundje, një konfuzion, po humbe 6 muaj sa të…, nuk ka më kohë, dera mbyllet, dhe pastaj ata thonë prit. Dhe ne mund të rrimë jashtë dyerve të BE-së edhe 15 vjet të tjera se nuk e dimë si vijnë gjërat. Ata sot kanë nevojë për ne, prandaj e kanë hapur derën. Jo se i mori malli për ne dhe po na bëjnë nder, por se sot dëshira jonë për të hyrë me dëshirën e tyre për të na marrë, janë përputhur.

Ne s’mund ta falim tani këtë shans. Dhe tjetra, e parafytyroni një moment, vetëm parafytyrojeni që Shqipëria ju çon atyre bufin për të bërë negociata, e keni parasysh tani se çfarë…, se hajde këtu brenda për brenda, hajde…, s’kemi çfarë i bëjmë, janë ca që…., çfarë të them. Po e imagjinoni ju që Shqipëria të çojë bufin për negociata me Bashkimin Europian?! Bufin që 3 herë në ditë i fiket llampa dhe s’di çfarë thotë, përveç të tjerave e të tjerave që ju i dini më mirë. Është e pakonceptueshme. Ndërkohë që, ana tjetër është që nëse ne nxjerrim nga 11 maji një shumicë që s’është thjesht shumica partiake, por është më shumë, mesazhi që populli shqiptar i jep atyre që vijnë në datën 16 atje, 5 ditë pas zgjedhjeve, është që ne, populli shqiptar përtej dallimeve partiake, duam që të gjithë ju të kuptoni se nuk ka më kohë për ne të qëndrojmë jashtë dhe duam të hyjmë në Bashkimin Europian. Do ju lutesha me përulësi që të bëni gjithçka mundeni me të gjitha shoqet tuaja, me të gjitha fqinjët tuaja, me të gjitha krushkat, me të gjitha çfarë keni se unë besoj shumë te forca tuaj.

Nuk kam unë asnjë…, përkundrazi kam shumë respekt për të gjithë ata burra që nuk janë çyrykë, politikisht. Kam shumë respekt. Por unë di një gjë, që nëse Shqipëria u prapambet aq shumë sa u prapambet, për mua arsyeja kryesore ishte që Shqipëria ishte si një shtëpi me larg qoftë gruan të paralizuar. Forca e gruas ishte e paralizuar. Nuk funksionon dot një vend që rri me një këmbë dhe sa më shumë ne i kemi përfshirë gratë në vendimmarrje, aq më shumë i kemi dhënë forcë Shqipërisë.

Unë e besoj fuqimisht këtë gjë, që mos themi pastaj që unë kam, por ky është opinion, këtu nuk pretendoj që kam provat dhe nuk pretendoj që të jenë dakord të gjithë. Në këtë rast jam shumë dakord me Theçerin që thoshte, do të bësh muhabet, shko ulu me burra. Do të mbarosh punë, çohu në këmbë dhe bëje me gra.

Papa Françesku ndjesë pastë, u nda nga jeta, por 1 javë para, tha punët shkojnë më mirë me gratë. E tha ai, papë, e të tjera, por këto janë opinione, nuk insistoj.

Por di një gjë, nëse ju do mobilizoheni fort, edhe burrat do vijnë mbas jush se ata mbas jush vijnë gjithësesi dhe lum ata burra, që e pranojnë, lum ata burra që e pranojnë, që falë grave janë më të fortë, kanë më pak shanse të bëjnë gabime. Se qeshin gratë kur i them unë imagjinojeni, ja imagjinojeni ju këtu. imagjinoni tani sikur ju të tëra, gratë gjirokastrite të iknit nga Gjirokastra 1 muaj, të mbyllni telefonat. Tëra, komplet. Të iknit me pushime dhe t’i linit ata atje. Si mendoni, çfarë do ndodhe kur të vinit pas një muaji, çfarë do gjenit këtu ju? Si do ishte Gjirokastra? Sikur t’i lini ata të shkretët atje, shih si janë. Po sikur të iknin ata një muaj, çfarë do t’i ndodhte Gjirokastrës? Do i ndodhnin disa gjëra, s’do kishte një bisht cigare në tokë. Një! Do regjistrohej muaji i parë në historinë e Gjirokastrës pa asnjë të dehur, dy. Të them më akoma, i dini vetë ju, por patjetër që edhe njëra, edhe tjetra janë thjesht për të sjellë një shembull këtu, por më mirë kështu bashkë, dhe sa më bashkë, aq më të fortë gra e burra, djem e vajza. E dini vetë detyrën, merreni përsipër 3 javë janë dhe më pak ndoshta, dhe mos lini njeri pa folur, pa kapur, pa takuar, pa bindur dhe me gratë demokrate uluni dhe bisedoni si nëna, bisedoni si shoqe, bisedoni si qytetare gjirokastrite, se shiko, e di çfarë mund të bëjnë në rastin më të mirë, në rastin më të mirë fare demokratët e Gjirokastrës, në rastin më të mirë fare, fare sikur të mblidhen, të mobilizohen, të hidhen në zjarr, e di çfarë mund të bëjnë, të nxjerrin Tritanin deputet. Kjo është vepra më e madhe që mund të bëjnë. Nëse e trajtojnë thjesht si një dhuratë nga Gjirokastra, një hudhër atje që mos marrin në sysh, le ta bëjnë, por ajo që na duhet është një mobilizim i madh.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›