Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, Hoxha: Punojmë të ndërtojmë sistem azili në përputhje me BE-në

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Sot është Dita Botërore e Refugjatëve, një ditë ndërkombëtare e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar refugjatët në të gjithë botën.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale thekson se “në këtë ditë të veçantë, rikonfirmojmë përkushtimin e plotë të shtetit shqiptar për të garantuar që refugjatët dhe kërkuesit e azilit të trajtohen me dinjitet, drejtësi e respekt”.
“Punojmë pa ndërprerje për të ndërtuar një sistem azili më të fortë, më transparent dhe më efikas – në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe të së drejtës ndërkombëtare”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës “bashkëpunimi me UNHCR-në, BE-në, organizatat vendore e ndërkombëtare, si dhe me komunitetet lokale dhe shoqërinë civile, është çelësi për një qasje gjithëpërfshirëse dhe për një integrim të suksesshëm”.
“Solidariteti nuk është vetëm një parim moral, është një angazhim konkret për të mbrojtur dinjitetin njerëzor!”, nënvizoi Hoxha.
/m.q/j.p/