Dita Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, Jaupaj: Takime në mbi 325 shkolla për mbrojtjen e natyrës

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Prej 3 vitesh në shkollat e vendit po zhvillohet Programi i Edukimit Mjedisor, si një ndër mënyrat më të mira për t’i rritur fëmijët me dashurinë për natyrën.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit Mjedisor, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se gjatë vitit 2025, përmes këtij programi të Ministrisë së Mjedisit, kemi qenë të pranishëm në 325 shkolla dhe kemi bashkëbiseduar me mbi 6,000 nxënës, duke forcuar ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës dhe pyjeve.
“Ky program do të vijojë edhe në vitin 2026, ndërsa me zgjerimin e mëtejshëm dhe me përdorimin e teknologjive inteligjente për pyjet, e bëjmë edhe më konkret pasionin e të rinjve për natyrën”, theksoi Jaupaj.
Edukimi mjedisor natyror i ndihmon nxënësit të njihen me çështje të rëndësishme dhe jetike mjedisore si: ujin, ajrin, tokën, natyrën, biodiversitetin.
Përgjatë tyre nxënësit përfshihen emocionalisht dhe fizikisht; ata mësojnë për zgjidhjen e shqetësimeve dhe problematikave të ndotjes, mbetjeve, energjisë, ekonomisë qarkulluese dhe mbrojtjen e dashurinë për natyrën.
Gjatë orëve të mësimit nxënësit informohen nga ekspertët e zonave të mbrojtura dhe kultivojnë dashurinë për ekosistemet, biodiversitetin, lagunat, parqet dhe përkujdesjen ndaj tyre.
Dita Botërore e Edukimit Mjedisor, që prej 10 vjetësh mbahet çdo 14 tetor. UNESCO thotë se, kjo datë shënon një pikë fillimi dhe jo një pikë mbërritjeje, duke ftuar të gjithë të marrin pjesë në iniciativë.
Data 14 tetor shënon hapjen e punimeve të Konferencës Ndërqeveritare të UNESCO-s për Edukimin Mjedisor, e cila u zhvillua në Tbilisi të Gjeorgjisë, në vitin 1977 dhe ishte një shenjë e interesit të shtuar shqetësimit që shoqëria civile dhe institucionet filluan të ndjenin në ato vite. Për herë të parë çështjet mjedisore dhe edukimi mbi ndjeshmërinë mjedisore u mirëpritën dhe u njohën në nivel institucional, pas Konferencës së OKB-së për mjedisin njerëzor të mbajtur në Stokholm në 1972.
/k.s/j.p/