SHBA – Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 000 familje pa energji elektrike, për shkak të stuhisë së madhe dimërore

LONDËR, 26 janar /ATSH/- Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë SHBA-në, duke shkaktuar të paktën shtatë të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra familje, sipas BBC.
Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, pasi kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në Anglinë e Re, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).
Të paktën dy persona u raportuan të vdekur nga hipotermia në Luiziana. Gjithashtu, vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.
Që nga pasditja e djehsme, më shumë se 800 000 familje kanë mbetur pa energji elektrike, “sipas poweroutage.us”.
“Ndërkohë, më shumë se 11 000 fluturime u anuluan”, raportoi “FlightAware”.
Bora e madhe, breshëri dhe shiu i ngrirë, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë – më shumë se gjysmën e popullsisë.
“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje”, tha Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit.
Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi dje se dy burra kishin vdekur nga hipotermia.
Kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje të lidhur me ekspozimin ndaj të ftohtit.
Zyrtarët në Kansas thanë se një grua, trupi i së cilës u gjet dje pasdite i mbuluar me borë, mund të kishte vdekur nga hipotermia.
Vdekje të tre personave të lidhura me motin janë raportuar edhe në Tenesi.
Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shkroi në një postim në X se të paktën pesë persona në qytet kishin vdekur të shtunën, por shtoi se shkaku i vdekjes së tyre ende nuk ishte përcaktuar.
Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, i cili ka potencialin të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe t’i bëjë rrugët të pasigurta.
Në Virxhinia dhe Kentaki, autoritetet kanë reaguar ndaj qindra aksidenteve në rrugë.
Kanadezët janë goditur gjithashtu nga bora e madhe dhe qindra fluturime të anuluara.
Zyrtarët vlerësojnë se do të ketë 15-30 centimetra reshje bore në provincën e Ontarios. //a.i/