Dita e Shtetit të Kroacisë, Barishiç: Vazhdojmë mbështetjen e fortë për Kosovën

PRISHTINË, 27 maj/ATSH/ Me rastin e Ditës së Shtetit të Republikës së Kroacisë, Ambasada e Kroacisë në Prishtinë organizoi një pritje solemne ku morën pjesë krerë të institucioneve të Kosovës, diplomatë të akredituar, përfaqësues të komunitetit kroat në Kosovë, ministra në detyrë, ish-figura politike, ambasadorë të shteteve të tjera dhe mysafirë të tjerë.
Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq tha se Kroacia do të vazhdojë me mbështetje të fortë për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Në fjalimin përshëndetës, Barishiq tha se Kroacia do të vazhdojë të marrë pjesë në Misionin e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe sigurinë si parakushte për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë shoqërisë dhe gjithë rajonit.
“Sot gjithashtu ne festojmë marrëdhënie miqësore mes dy vendeve tona, Republika e Kroacisë dhe Republika e Kosovës, të cilat u treguan përmes bashkëpunimit dypalësh dhe rritjes së tregtisë dypalëshe. Marrëdhëniet tona u konfirmuan shtesë edhe me shkëmbimin e vizitave zyrtare duke përfshirë edhe vizitën zyrtare në Kroaci të kryeministrit Kurti në fund të vitit të kaluar, gjatë së cilës janë nënshkruar gjashtë marrëveshje. Kroacia do të vazhdojë me mbështetje të fortë për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në Misionin e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe sigurinë si parakushte për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë shoqërisë dhe gjithë rajonit”, tha Barishiq.
Para të ftuarve, Barishiq tha se ky organizim ndër të tjera është bërë për të konfirmuar marrëdhëniet miqësore mes Kroacisë dhe Kosovës.Krahas kësaj, ajo përmendi se fjalët më të përdorura globalisht prej disa kohësh janë pasiguria dhe papërshikueshmëria gjeopolitike, derisa iu referua pushtimit rus në Ukrainë.
“Është kënaqësia dhe nderi im i madh t’ju mirëpres sonte me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Kroacisë. Jemi mbledhur këtu për të konfirmuar marrëdhëniet miqësore mes Kroacisë dhe Kosovës. Por jam i sigurt se në bisedat tona sonte nuk do të mund t’i shmangim disa çështje që prekin dhe ndikojnë të gjithë ne në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në fakt, pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës më shumë se tre vite më parë, jemi duke përjetuar rrëzimin e rendit ndërkombëtar siç e njihnim më parë. Prandaj, ndoshta fjalët më të përdorura globalisht prej disa kohësh janë pasiguria dhe papërshikueshmëria gjeopolitike. Por pavarësisht të gjithave, kemi portin tonë të qetë dhe spirancën e fortë – Bashkimi Evropian”, tha Barishiq.
Ndër të tjera, Barishiq foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për çka tha se stabiliteti varet nga dialogu, jo nga përballja.
Ajo tha se prej kohësh Kroacia ka mbështetur kërkesën e Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj shtetit tonë.
“Së pari – Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian dhe zgjerimi në këtë rajon është projekti më i rëndësishëm gjeopolitik i BE-së. Së dyti – një përparësi kyçe mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë. Stabiliteti varet nga dialogu, jo përballja. Dhe së treti dhe ndoshta më i pritur në Kosovë – BE ka filluar të heqë gradualisht masat ndëshkuese të vendosura në qershor 2023. Më lejoni të shtoj – Kroacia e ka mbështetur këtë prej një kohe të gjatë. Kjo vendimmarrje hap rrugën për më shumë mundësi për zhvillimin e Kosovës dhe lidhje më të ngushta me Evropën”, potencoi Barishiq.Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella historike, miqësore dhe të vlerave të përbashkëta.
Ai u shpreh se të dy këto shtete janë aleatë në paqe, në demokraci dhe në rrugëtimin e përbashkët evropian.
“Kjo ditë shënon jo vetëm themelimin e shtetësisë moderne kroate, por edhe vullnetin e qëndrueshëm të një populli krenar për të përcaktuar të ardhmen e tij, për të jetuar në liri dhe për të kontribuar në paqen dhe prosperitetin e rajonit tonë. Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella historike, miqësore dhe të vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj, politike, morale dhe praktike, ka qenë e palëkundur që nga atëherë. Për këtë, jemi thellësisht mirënjohës. Sot, ne festojmë shtetësinë tuaj, por edhe partneritetin që na bashkon. Jemi aleatë në paqe, në demokraci dhe në rrugëtimin tonë të përbashkët evropian dhe të besimit të përbashkët”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe NATO shërben si frymëzim për Kosovën, si një kujtesë e asaj që është e mundur kur një komb udhëhiqet nga parimet e lirisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor.
Krahas kësaj, Kurti u shpreh se duhet vazhduar të thellohen lidhjet me Kroacinë në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje.
“Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe NATO shërben si frymëzim për Kosovën, si një kujtesë e asaj që është e mundur kur një komb udhëhiqet nga parimet e lirisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor. Jemi gjithashtu krenarë për komunitetin kroat të gjallë në Kosovë dhe për diasporën shqiptaro-kosovare në Kroaci, të cilat shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Teksa shikojmë nga e ardhmja, le të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona bilaterale në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje. Së bashku, mund të kontribuojmë në një rajon që është i lirë, demokratik dhe thellësisht i ankoruar në vlerat euroatlantike”, tha ai.
Dita e Shtetit, është në kujtim të 30 majit 1990, kur Kroacia krijoi Parlamentin e parë shumëpartiak të zgjedhur në mënyrë demokratike. /KosovaPress/