Dita e katërt e protestave, qytetarët e Korçës dalin në shesh

Ka nisur në Korçë dita e katërt e protestave qytetare kundër investimit 4 miliardë dollarësh të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë pedonales së qytetit, prej nga kanë nisur një marshim në bulevardin kryesor të Korçës, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit që po zhvillohet në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Pjesëmarrësit në protestë mbajnë pankarta dhe japin mesazhe në mbrojtje të mjedisit dhe pasurive natyrore, ndërsa kërkojnë rishikimin e vendimeve që lidhen me investimin. Sipas organizatorëve, protesta synon të sensibilizojë opinionin publik për ndikimin që, sipas tyre, projekti mund të ketë në ekosistemin e zonës.
Marshimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, nën vëzhgimin e forcave të rendit, ndërsa qytetarët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Protesta në Korçë vjen në kuadër të një serie tubimesh të organizuara në qytete të ndryshme të vendit kundër projektit turistik në Zvërnec, i cili ka nxitur debat të gjerë publik mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të investimit.