Qytetarët nisin marshimin paqësor nëpër Tiranë, thirrje të rinjve: Bashkoheni me ne

Pas disa orësh proteste para Kryeministrisë, mijëra qytetarë në Tiranë kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe kreut të saj, Edi Rama.
Protestuesit janë zhvendosur drejt bulevardit kryesor dhe institucioneve qendrore të vendit, duke vijuar me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, në një marshim që, sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, synon të rrisë presionin politik ndaj ekzekutivit.
Gjatë lëvizjes nëpër qytet, protestuesit kanë bërë thirrje për bashkim të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, që t’i bashkohen protestës dhe të vazhdojnë lëvizjen kundër qeverisë.
“Bashkohuni me ne!” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan nga turma, ndërsa marshimi u zhvillua në mënyrë paqësore nën praninë e forcave të rendit.
Protestuesit vijuan me slogane të shumta kundër qeverisë, duke thënë “Revolucion” dhe “Dorëheqje”, ndërsa përshkonin rrugët kryesore të kryeqytetit.
Autoritetet nuk kanë raportuar deri më tani incidente gjatë zhvillimit të protestës.