E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita e katërt e protestës/ Efektivë policie dhe protestues të lënduar, mes tyre edhe të mitur. Nga përplasjet te Ministria e Arsimit deri te ato para Kryeministrisë, çfarë ndodhi në 11 orë

Protesta e të rinjve kundër qeverisë është shoqëruar këtë të premte me përplasje të forta me policinë përpara Kryeministrisë, ku efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës teksa protestuesit kanë qëlluar me gurë e fishekzjarre.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, të rinjtë kanë vijuar të qëndrojnë përballë policisë, duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Përplasjet kanë lënë të lënduar protestues, efektivë policie dhe kalimtarë, mes tyre edhe tre të mitur.

Dita e katërt e protestave në Tiranë nisi që në orët e paradites, kur grupime studentësh, gjimnazistësh dhe mbështetës të tyre u mblodhën në pika të ndryshme të kryeqytetit për t’u bashkuar më pas në qendër të qytetit.

Rreth orës 09:00 nisën grumbullimet e para, ndërsa protesta u konsolidua gradualisht me marshime në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Gjatë marshimit ata bllokuan përkohësisht rrugën “Myslym Shyri”, ku u ulën në asfalt duke penguar qarkullimin e automjeteve. Më pas protesta vijoi në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Unazën e Vogël dhe zonën e “21 Dhjetorit”.

Gjatë lëvizjes nëpër qytet u regjistruan incidentet e para. Disa protestues dogjën kosha mbeturinash, shkulën kangjella metalike përgjatë rrugëve dhe hodhën kapsolla, ndërsa tensionet nisën të rriteshin me afrimin e turmës pranë institucioneve shtetërore.

Rreth mesditës, protestuesit u rikthyen pranë Ministrisë së Arsimit, ku nisën përplasjet e para serioze me Policinë. Në drejtim të godinës dhe efektivëve u hodhën gurë dhe sende të forta, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.

Pas kësaj, marshimi u zhvendos drejt Ministrisë së Ekonomisë, ku situata u përshkallëzua më tej. Protestuesit qëlluan me gurë drejt efektivëve dhe i vunë flakën derës hyrëse të institucionit. Pas ndërhyrjes së Policisë, turma vijoi lëvizjen drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Një tjetër vatër tensioni u krijua pranë Kryesisë së Kuvendit. Disa protestues u ngjitën në fasadën e godinës, thyen dritare dhe goditën dyert hyrëse, duke tentuar të depërtonin në ambientet e institucionit. Policia reagoi sërish me gaz lotsjellës për të penguar avancimin e tyre.

Përplasjet më të forta u zhvilluan më pas përpara Kryeministrisë dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit hodhën vazhdimisht gurë, fishekzjarre dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Efektivët iu kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa situata mbeti e tensionuar për disa orë.

Ndërkohë, protesta nuk u kufizua vetëm në Tiranë.

Tubime dhe marshime u zhvilluan edhe në disa qytete të tjera të vendit. Në Lezhë u raportuan tensione mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa paraprakisht u njoftua edhe për një person të lënduar.

Si pasojë e incidenteve të regjistruara gjatë ditës, Spitali Universitar i Traumës raportoi se deri në orën 18:45 janë paraqitur 11 persona të lënduar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjashtë prej tyre janë protestues, mes tyre tre të mitur, tre janë efektivë policie dhe dy kalimtarë të rastësishëm.

Sipas Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, drejtuesit të lartë Dhimitraq Ziu, bilanci i protestave në vend ka sjellë qindra persona të arrestuar dhe proceduar penalisht për akte dhune, shkatërrim të pronës publike e private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 të tjerë, ndërsa arrestime dhe procedime janë regjistruar edhe në Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës.

Ziu bëri me dije se nga përplasjet e katër ditëve të fundit janë lënduar deri tani 120 punonjës policie në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës.

Ai theksoi gjithashtu se, paralelisht me ngjarjet në terren, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë monitoruar hapësirën virtuale, ku janë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi që kanë shpërndarë thirrje për akte të dhunshme, mesazhe me përmbajtje ekstremiste dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.

Aktualisht në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës po marrin asistencë mjekësore dy protestues, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po ekzaminohen nga mjekët. Në spital ndodhet gjithashtu edhe një efektiv policie, gjendja e të cilit raportohet e stabilizuar.

Rreth orës 19:00, protesta nisi të humbasë intensitetin, ndërsa grupe protestuesish u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Pas ndërhyrjes së fundit të Policisë te Kryeministria, protestuesit janë shpërndarë në disa rrugë të kryeqytetit. Ata po lëvizin në drejtim të Tajvanit, Rrugës së Elbasanit dhe përgjatë Unazës drejt qendrës së Tiranës.

Megjithatë, tensionet e krijuara gjatë ditës e kanë bërë edhe ditën e katërt të protestave një nga më të dhunshmet që nga nisja e mobilizimit të studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›