“Ditët e Mios”- U çel në Korçë edicioni i 15-të i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit Figurativ

Është çelur në shtëpinë muze të piktorit Vangjush Mio edicioni i 15-të i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit Figurativ “Ditët e Mios”.
Mbi 40 piktorë nga vende të ndryshme të botës do të zbulojnë magjinë e qytetit dhe fshatrave përreth, duke e kthyer Korçën në një qendër të krijimtarisë artistike.
“Është një edicion i cili është krijuar me shumë dashuri dhe profesionalizëm, kemi shumë shtete nga e gjithë bota pa harruar edhe piktorët vendas”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit.
“Përpiqemi që të ketë sa më shumë larmi nga sa më shumë shtete të botës”, tha Fatos Bylykbashi, Kurator i Kolonisë “Ditët e Mios”.
Në këtë edicion, kolonisë i janë bashkuar edhe artistë nga Ballkani Perëndimor.
“Ku ka më mirë se një dialog artistik me krijimtari dhe vepra të cilat artistët i ndajnë me njëri tjetrin”, tha Mikel Temo, Kurator i “Ëestern Balkans Colony”.
Kolonia Ndërkombëtare e Artit Figurativ “Ditët e Mios” nderon trashëgiminë e mjeshtrit Vangjush Mio, duke e kthyer Korçën në një hapësirë të gjallë të ngjyrave, artit dhe bashkimit kulturor.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/