E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Djali më thërriste për ndihmë!”- Shpërthimi në pallatin 5-katësh në Elbasan, banori rrëfen ngjarjen: U hodha nga ballkoni, tavanet kanë rënë në katin e dytë!

Një banor i pallatit 5-katësh në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm që shkaktoi një tragjedi, ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi, duke treguar se u detyrua të hidhej nga kati i dytë për të shpëtuar.

Artur Sanço, banor i katit të dytë të pallatit në lagjen “Beqir Dardha”, tregon se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa dera e ballkonit i ra në kokë, ndërsa ai nuk mund të ndihmonte djalin e tij të vogël, i cili e thërriste për ndihmë.

“Si t’ia bëj tani, ku të rri? Unë isha në katin e dytë, më ra dera e ballkonit në kokë. Djali i vogël më thërriste: ‘O babi!’ Më thërriste djali dhe unë nuk e ndihmoja dot. U hodha nga kati i dytë. Nuk e di si ka ndodhur. Në atë moment kam dalë në ballkon, kam bërtitur. Tani isha në spital për mjekim. Kujt t’i bie në qafë sot? Nuk e di si ka ndodhur, shpërthimi ka qenë shumë i fortë”, rrëfen ai.

pallati elbasan (3)

Banori tregon se si pasojë e shpërthimit, soleta e katit të tretë ka rënë mbi dhomën e gjumit të apartamentit të tij, duke bllokuar derën dhe duke e bërë të pamundur daljen për të shpëtuar të birin.

Sa i përket personit që rezulton i zhdukur, Sanço thotë se bëhet fjalë për fqinjin e tij në katin e tretë, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ai të ketë mbetur i bllokuar edhe në apartamentin e tij, pasi soleta e katit të tretë ka rënë mbi katin e dytë.

Artur Sanço: Si t’ia bëj tani, ku të rri? Unë isha në katin e dytë, më ra dera e ballkonit në kokë. Djali i vogël më thërriste: ‘O babi!’ Më thërriste djali dhe unë nuk e ndihmoja dot. U hodha nga kati i dytë. Nuk e di si ka ndodhur. Në atë moment kam dalë në ballkon, kam bërtitur. Tani isha në spital për mjekim. Kujt t’i bie në qafë sot? Nuk e di si ka ndodhur, shpërthimi ka qenë shumë i fortë.

Soleta e katit të tretë ka rënë dhe e ka zënë dhomën e gjumit, derën. Nuk dilja dot të nxirrja çunin. Fatmirësisht, erdhi gruaja, hapi derën dhe e nxori. Nuk di çfarë të them.

Çfarë kërkoj unë nga shteti? Po të mos ishte ajo shtesa aty, do të hynte zjarrfikësja. Kemi 30 vjet këtu, u kemi thënë ta prishin. Unë punoj në ndërtim dhe e di shumë mirë që është edhe me ligj që jashtë fasadës duhet të jetë 7 metra minimumi bosh, hapësirë publike, që të hyjnë ambulanca, zjarrfikësja. Shiheni! Jo vetëm këtu, por në të gjithë Elbasanin dhe në të gjithë Shqipërinë.

Personi i zhdukur është ai komshiu në katin e tretë. Nuk e di, ndoshta ka rënë edhe te unë ai, sepse soleta e katit të tretë ka rënë poshtë, te unë, në katin e dytë. Mos të them edhe kati i katërt, se është beton. Nuk e di çfarë ka ndodhur, çfarë ka shpërthyer. Nuk e kisha dëgjuar dhe përjetuar ndonjëherë.

Screenshot 2026-11-04 184735

Ngjarja

Shpërthimi i fuqishëm në pallatin 5-katësh në lagjen “Beqir Dardha” të Elbasanit shkaktoi një tragjedi, duke lënë një të moshuar të pajetë, ndërsa një tjetër person rezulton i zhdukur.

Ngjarja ndodhi në një apartament në katin e tretë të pallatit të vjetër, në pronësi të Hamit Ibros, i cili ende nuk është gjetur. E moshuara Hatixhe Berisha, 82 vjeçe, e cila nuk jetonte në apartamentin ku shpërtheu zjarri, por një kat më lart, u nxor e pajetë nga ndërtesa nga forcat zjarrfikëse, përmes shkallëve të jashtme. Dyshohet se ajo ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve fizike ose asfiksisë nga tymi.

Si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, struktura e pallatit është dëmtuar rëndë, ndërsa pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e shkatërrimit. Policia ende nuk ka përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, por nuk përjashtohet pista që gjithçka të ketë nisur pas shpërthimit të një bombole gazi.

Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e njësisë antieksploziv të Policisë së Shtetit, ndërsa banorët u evakuuan përmes shkallëve të zjarrfikësve, kryesisht fëmijë dhe të moshuar.

Dhjetë persona të lënduar, mes tyre edhe një fëmijë, po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Elbasanit, pasi shfaqën probleme shëndetësore për shkak të tymit. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa zhurma e tij u dëgjua edhe nga banorët e pallateve të tjera në zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›