Dogana: Kapen mallra të padeklaruara në një mjet të ardhur me tragetin Ankona-Durrës

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjitshme e Doganave bën të ditur se një sasi mallrash të padeklaruara u zbulua në Portin e Durrësit gjatë kontrollit të një mjeti të ardhur nga Italia me tragetin e linjës Ankona–Durrës.
Kontrolli u krye nga shërbimet e Degës së Doganës Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, në vijën e dytë të kontrollit të mjeteve të rënda.
Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të mjetit u konstatuan 20 kuti me nga 6 shishe verë, 2 kondicionerë të rinj dhe 238 kremra kozmetikë, mallra që nuk ishin deklaruar nga drejtuesi i mjetit.
“Pas konstatimit, mjeti dhe drejtuesi i tij janë referuar pranë strukturave të DVKM Durrës, për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore”, njoftoi Dogana.
/e.xh/a.f/r.e/