Leku forcon pozitat në raport me monedhat e huaja

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Leku vijon të forcohet në tregun vendas të këmbimit valutor, ndërsa euroja e ka mbyllur javën në një tjetër nivel minimal historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 92,85 lekë.
Forcimi i lekut reflektohet edhe në ecurinë vjetore të kursit. Që nga fillimi i vitit, euroja është zhvlerësuar me 4,1%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rënia e saj ndaj lekut ka arritur në 4,4%.
Një nga faktorët që po ndikon në këtë tendencë është rritja e ofertës së valutës në treg, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Flukset e valutës të sjella nga turistët dhe vizitorët e huaj shtojnë ofertën e euros dhe krijojnë kushte për forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase.
Sipas të dhënave të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit u rritën me 6,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Agjentët e tregut vlerësojnë se prurjet valutore nga aktiviteti turistik mbeten një ndër faktorët kryesorë pas zhvlerësimit të euros, duke favorizuar forcimin e lekut në tregun vendas.
Nga ana tjetër, edhe monedhat e tjera kryesore kanë vijuar të humbin terren ndaj lekut në tregun vendas. Dollari amerikan është zhvlerësuar me 0,20 lekë dhe këmbehet me 80,30 lekë, ndërsa paundi britanik ka rënë me 0,02 lekë, duke u kuotuar në 108,68 lekë.
Në të njëjtën linjë është edhe franga zvicerane, e cila ka humbur 0,20 lekë në raport me lekun dhe këmbehet me 98,86 lekë.
| Monedha kryesore | Lekë për njësi të monedhës së huaj | |||
|---|---|---|---|---|
| Dollar Amerikan | USD | 80.39 | -0.20 | |
| Euro | EUR | 92.85 | -0.07 | |
| Poundi Britanik | GBP | 108.68 | -0.02 | |
| Franga Zvicerane | CHF | 98.86 | -0.40 | |
| Jeni Japonez (100) | JPY | 50.52 | -0.05 | |
| Dollari Australian | AUD | 56.86 | +0.02 | |
| Dollari Kanadez | CAD | 57.88 | +0.08 | |
| Korona Suedeze | SEK | 8.43 | 0.00 | |
| Korona Norvegjeze | NOK | 8.50 | +0.03 | |
| Korona Daneze | DKK | 12.42 | -0.01 | |
| SDR | SDR | 109.80 | -0.29 | |
| Ari (OZ 1) | XAU | 349920.79 | -3,102.09 | |
| Argjendi (OZ 1) | XAG | 5203.66 | -1.07 | |
| Juani Kinez (onshore) | CNY | 11.92 | -0.03 | |
| Juani Kinez (offshore) | CNH | 11.92 | -0.03 | |
| Lira Turke | TRY | 1.68 | -0.01 | |
/e.xh/a.f/r.e/