Doganat: Nga 3 nëntori, identifikim me dy faktorë për aksesin në sistemin “Asycuda World” - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u ka rikujtuar operatorëve ekonomikë dhe agjentëve doganorë se, nga data 3 nëntor 2026 (nesër), aksesi në sistemin doganor “Asycuda World” do të kryhet përmes identifikimit me dy faktorë sigurie (2FA).
Në një njoftim për mediet, Doganat bëjnë të ditur se, në kuadër të rritjes së sigurisë së aksesit në këtë sistem, kanë miratuar Manualin e Përdorimit me Dy Faktorë (2FA), i cili shërben si udhëzues praktik për operatorët ekonomikë dhe agjentët doganorë për aktivizimin dhe përdorimin e këtij mekanizmi.
Masa është ndërmarrë në bashkëpunim me Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sistemi i ri i verifikimit do të përfshijë adresën e postës elektronike si faktor të dytë sigurie për të gjithë përdoruesit, përfshirë agjentët doganorë dhe operatorët ekonomikë të licencuar si përfaqësues të drejtpërdrejtë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se përdoruesit duhet të paraqesin informacionin e kërkuar për aktivizimin e mekanizmit të ri të sigurisë, pasi në të kundërt nuk do të mund të aksesojnë sistemin “Asycuda World” nga data 3 nëntor 2026.
Autoriteti doganor u bën thirrje operatorëve ekonomikë dhe agjentëve doganorë të marrin masat e nevojshme brenda afatit të përcaktuar, për të shmangur ndërprerjen e aksesit në sistem.
1 nga 4
/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
