Dokumentari “Udha”, Lorik Cana: Kemi ndezur një dritë më shumë për realitetin e arbëreshëve

Në një lidhje për emisionin “Në Kohë Reale” me Flori Gjinin, ish-kapiteni i Kombëtares dhe producenti i dokumentarit “Udha – një gjak, një gjuhë, një besë”, Lorik Cana ndau detaje nga dokumentari që sjell në vëmendje historinë dhe jetën e komunitetit arbëresh në Itali.
Cana e cilësoi këtë projekt si një udhëtim të veçantë, i cili ka nisur që në vitin 2023 me procesin e xhirimeve, duke theksuar se më shumë sesa një dokumentar, ka qenë një dëshirë personale për të zbuluar dhe njohur më nga afër arbëreshët.
“Ka qenë një udhëtim, duke nisur nga 2023, kur jemi marrë me xhirime. Më shumë se një dokumentar, jemi marrë si një dëshirë personale për të zbuluar vetë vëllezërit tanë në këtë anë të Adriatikut. Dhe nëpërmjet kësaj vizite pata mundësinë të njihem me ta dhe të zbuloj vende të reja dhe miq të rinj. Në atë vend kam qenë vetëm një herë, kur kombëtarja luajti me Italinë, në 2017, ku bashkë me Federatën vendosëm të zhvillonim një takim të shkurtër në Piana. Vendet e tjera kanë qenë hera e parë që shkel në atë tokë. Më pritën jashtëzakonisht mirë. Në mënyrë sa më spontane jemi munduar të krijojmë lidhje të reja”, tha ai.
Cana tha se deri tani janë realizuar tre udhëtime në jug të Italisë dhe materiali i mbledhur do të konkretizohet në gjashtë dokumentarë ku dy episodet e para do të fokusohen në Pianën, ndërsa katër të tjerat në rajonin e Kozencës.
Ai theksoi se përvoja ka qenë shumë e vlefshme, duke shtuar se përmes këtij projekti kanë arritur të “ndezin një dritë më shumë” për realitetin e arbëreshëve, jo si një trashëgimi e së kaluarës, por si një kulturë e gjallë.
“Në tre udhëtime që kemi bërë në jug të Italisë, për momentin kemi material dhe do të jenë 6 dokumentarë, të cilët do të kenë mundësi që njerëzit t’i ndjekin, duke nisur me dy episodet e para në Piana dhe më pas 4 episode të tjera në rajonin e Kozencës. E kemi shijuar, kemi bërë njohje të reja, besoj kemi ndezur akoma një dritë më shumë për realitetin e arbëreshëve, jo si diçka që jeton në të kaluarën, por diçka që është e gjallë, me gjëra të mira dhe të bukura. Jo vetëm me gjëra folkloristike, por edhe me vështirësitë që kanë ata, pasi edhe atyre rinia po u ikën dhe gjuha po fillon të zbehet”, tha Cana.
Dokumentari është realizuar vetëm në gjuhën shqipe dhe arbërisht, duke ruajtur autenticitetin e komunitetit, tha Cana ndërsa e cilësoi komunitetin arbëresh si një shembull unik në botë, që ka arritur të ruajë identitetin, gjuhën dhe traditat ndër shekuj, falë përkushtimit dhe dashurisë së brezave.
/rtsh.al/