E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburanti më i lirë përtej kufirit, Hani i Hotit dhe Muriqani përballen me fluks të lartë automjetesh në dalje

Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në vend po i detyron gjithnjë e më shumë qytetarë të kërkojnë alternativa më ekonomike për furnizimin me karburant.

Për shkak të diferencave të ndjeshme të çmimeve, shumë prej tyre po i drejtohen vendeve fqinje, duke kaluar kufirin për të mbushur automjetet e tyre.

Zona e veriut, veçanërisht pranë pikës kufitare të Hanit të Hotit, po përjeton një fluks të shtuar lëvizjesh. Qytetarët për shkak të afërsisë dhe kostos më të ulët, po zgjedhin të furnizohen me karburant në Malin e Zi.

Kjo situatë po reflekton jo vetëm ndikimin e çmimeve të larta në ekonominë familjare, por edhe nevojën për zgjidhje më të përballueshme në përditshmëri.

Pikat doganore Muriqan dhe Hani i Hotit, kanë pasur fluks të shtuar të automjeteve në dalje të vendit, qytetarë nga Shkodra por jo vetëm të cilët shkojnë të marrin naftën pothuajse 70 lekë më lirë në Malin e Zi.

Bordi i transparencës ka njoftuar sot se çmimi i naftës do të tregtohet me 224 lekë për litër, nga 218 që ishte më parë. Ndërkohë benzina do të vijojë të tregtohet me 181 lekë për litër.

Gazetar: M. Rakaj

/rtsh.al/  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›