E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dosja “5D”, Këlliçi në SPAK: U thirra si kallëzues. Pyetjet ishin intimiduese nga avokatët e ish-drejtorëve në burg

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Këlliçi, është paraqitur këtë të enjte, 25 shtator, në SPAK ku është marrë në pyetje si dëshmitar dhe kallëzues në lidhje me hetimet për dosjen “5D”.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Këlliçi deklaroi se është pyetur si nga prokurorët, ashtu edhe nga avokatët mbrojtës të ish-drejtuesve të Bashkisë së Tiranës që ndodhen në burg. Ai theksoi se pyetjet kanë shkuar përtej rrethanave të ngjarjes, duke marrë karakter intimidues dhe akuzash politike nga ana e avokatëve mbrojtës.

“Isha i thirrur si dëshmitarë dhe kallëzues për dosjen 5D. Jam pyetur për nga avokatët mbrojtës të drejtorëve që janë në burg, jam pyetur nga prokuroria për rrethanat  e ngjarjes, kam dhënë përgjigjet e mia në raport me informacionet që kam patur. Jam pyetur në mënyrë intimiduese për deklarata publike, ku deri diku është shkuar edhe në kërkesë llogarie nga ana e avokatëve mbrojtës të drejtorëve që janë në burg për dosjen 5D, është kaluar në interpretime dhe akuza politike.

Jam pyetur edhe për çështje që nuk ishin në themel të dosjes lidhur me kandidimin tim për Bashkinë Tiranë. Të gjithë informacionet që kam disponuan kur kam depozita zyrtarisht kallëzimin, më pas për shkak të hetimeve nga SPAK dhe denoncimeve në media i kam finalizuar në një sërë dokumentesh të tjera që i kam adresuar në prokurori”, tha Këlliçi.

Blendi Këlliçi ka bërë disa kallëzime në SPAK për abuzime sipas tij, në Bashkinë e Tiranës, pjesë e të cilave është edhe dosja “5D”. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi këtë dosje kanë çuar më pas në arrestimin e disa ish-zyrtarëve të Bashkisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›