E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “5D”, shërbim prove në vend të burgut për ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës

Me shërbim prove për një periudhë 12-mujore do të vuajnë dënimin pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të përfshirë në dosjen “5D”.

Vendimi u dha nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila pezulloi ekzekutimin e dënimit me burg për secilin prej të pandehurve.

Bëhet fjalë për Eglantina Zeren, ish-titullare e autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, si dhe për Enkelejda Qytën, Bruno Koçin, Rivjola Baxhën dhe Kristo Zhulatin, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ata janë shpallur fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Sipas vendimit të Apelit, secili prej të pandehurve është dënuar me 9 muaj burg, dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar është ulur në 6 muaj.

Megjithatë, dënimi nuk do të ekzekutohet, pasi është konvertuar në shërbim prove, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Ish-zyrtarët akuzohen se kanë favorizuar kompaninë “5D” në tenderin për rikonstruksionin e sheshit të parkimit pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në tetor të vitit 2019.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›