E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Balluku” dhe qëndrimi i PS-së, Sami Neza: Deputetët hynë në kompetencat e prokurorisë, Rama doli në mbrojtje

Vendimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të mos miratuar kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ka nxitur debate në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH.

Analisti Sami Neza ka kritikuar qasjen e mazhorancës, duke e cilësuar atë si një tejkalim të kompetencave parlamentare dhe një taktikë mbrojtëse të Kryeministrit Edi Rama.

Gjatë debatit në studio, Neza u ndal specifikisht te deklaratat e kreut të komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, pas mbledhjes së grupit socialist. Sipas analistit, argumentet e përdorura nga mazhoranca për të rrëzuar kërkesën e organit të akuzës janë të pabazuara në praktikat e vendeve demokratike.

“Ulsi Manja ka hyrë në zonat e prokurorit. Nuk mund të vlerësojnë deputetët cilësinë e provave,” deklaroi Neza, duke shtuar se në sistemet demokratike, kur diskutohet heqja e imunitetit, çështja mbrohet nga vetë personi i akuzuar dhe jo nga kolegët e tij përmes filtrave politikë mbi dosjen hetimore.

Taktika mbrojtëse e Kryeministrit

Për Sami Nezën, vendimmarrja e grupit të PS-së nuk ishte një surprizë, pasi, sipas tij, roli i Kryeministrit Rama ka qenë përcaktues në këtë linjë mbrojtjeje. Ai argumentoi se refuzimi i dorëheqjes së Ballukut dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese janë pjesë e një strategjie të mirëmenduar për të shmangur veprimin e menjëhershëm të drejtësisë.

“Duke mos plotësuar kërkesën e SPAK, Rama del në mbrojtje të zyrtarit të vet. Ai e ka bërë mbrojtjen edhe në institucionet e tjera,” tha analisti, duke nënvizuar se aktualisht jemi përpara një përplasjeje taktikash mes zyrës së Kryeministrit dhe Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Nezës, ky pozicionim i mazhorancës dëmton pavarësinë e institucioneve dhe krijon një precedent ku vullneti politik vendoset mbi kërkesat e organit të akuzës për procedimin e zyrtarëve të lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›