Dosja “Partizani”, seanca në GJKKO, pyetet ish-drejtoresha e Sporteve, Shqevi. Pritet të dëshmojë edhe Genc Ruli

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet sot (8 qershor) seanca për dosjen e njohur si “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.
Seanca nisi me dëshminë e ish-drejtoreshës së sporteve në Ministrinë e Sportit, Violeta Shqevi, e thirrur së bashku me ish-ministrin Ylli Pango, ndërsa pritet të dëshmojnë edhe ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli, Paro Laci, Tetis Lubonja dhe Altin Ceni.
Shqevi, e cila ka mbajtur më parë pozicionin e juristes dhe më pas drejtoreshës së sporteve, tregoi se ka qenë koordinatore e strategjisë së parë për zhvillimin e sportit masiv, me objektiv modernizimin e klubeve sportive brenda një afati dyvjeçar.
Ajo shpjegoi se klubi “Partizani” ka funksionuar si klub shumë sportesh nën administrimin e ministrisë, duke menaxhuar asetet dhe godinat e tij, ndërsa përmendi dy objekte pranë zonës së “21 Dhjetorit”, ku njëra godinë shërbente për gjimnastikën dhe tjetra për sporte të tjera. Shqevi theksoi se ka pasur shqetësime për regjistrimin e pronave dhe i është drejtuar eprorëve për marrjen e masave, por nuk ka pasur dokumente zyrtare mbi pronësinë.
Në dëshminë e saj, Shqevi kujtoi se në vitin 2007 u miratuan ndryshime ligjore që lejonin dhënien e objekteve sportive me koncesion, jo privatizim, ndërsa në vitin 2008 Ministria e Turizmit nisi një nismë për privatizim të tyre. Ajo shtoi se ishte propozuar modeli rumun, me synim rritjen e sipërfaqeve sportive dhe mbrojtjen e destinacionit të tyre, duke raportuar tek sekretari i përgjithshëm, zv.ministri dhe ministri. Kompetencat e saj lidheshin me riorganizimin e drejtorisë, zbatimin e ligjit dhe hartimin e strategjive, por pa lidhje direkte me pasuritë.
Shqevi pranoi se kishte punuar për një strategji të re, por ajo nuk u miratua për shkak të kostos së lartë të përllogaritur nga Ministria e Financave. “Fatkeqësisht nuk u miratua, u tha se kishte kosto shumë të lartë,” deklaroi ajo, duke shtuar se nuk iu dërgua asnjë shkresë zyrtare për refuzimin. Në pyetjet e mbrojtjes, Shqevi tha se kishte paraqitur rezervat e saj për ndryshimet e vitit 2008 tek ministri dhe zv.ministri, por nuk ishte penguar të shprehej.
/rtsh.al/