E Diel, 1 Nëntor 2026

Koreja e Veriut priti Presidentin Kinez Xi me nderime të mëdha: Miqësia midis dy vendeve është e pathyeshme

Pheniani priti sot me ceremoni madhështore Presidentin e Kinës, Xi Jinping, i cili zhvillon një vizitë të rrallë dy-ditore në Korenë e Veriut.

Udhëheqësi Kim Jong-un dhe bashkëshortja e tij Ri Sol-ju mirëpritën Xi dhe bashkëshorten e tij Peng Liyuan, ndërsa në Sheshin Kim Il Sung u organizua një ceremoni me portrete gjigante të dy liderëve, himnet kombëtare, një përshëndetje me 21 topa dhe mijëra qytetarë që mbanin flamuj, lule e slogane. 

Kina ka qenë tradicionalisht mbështetëse kritike e Koresë së Veriut në planin diplomatik, ekonomik dhe politik, pavarësisht sanksioneve të shumta të vendosura nga OKB-ja.

Vizita e Xi është e para që nga viti 2019, kur ai foli për “miqësinë e pathyeshme” mes dy vendeve.

Këtë herë, Xi u shoqërua nga ministri i Jashtëm ang Yi dhe theksoi në një artikull të botuar në gazetën zyrtare Rodong Sinmun,  “Pavarësisht se si evoluojnë kohërat ose si ndryshon situata ndërkombëtare, miqësia tradicionale midis Kinës dhe Koresë së Veriut është gjithmonë e pamposhtur.” 

Ai shtoi se të dy vendet duhet të kundërvihen “hegjemonisë, autoritarizmit dhe përpjekjeve për të ringjallur militarizimin që rrezikon stabilitetin rajonal”.

Xi u zotua të punojë me Phenianin për të promovuar multipolaritet dhe globalizim gjithëpërfshirës, duke e cilësuar paqen dhe stabilitetin rajonal si synime të përbashkëta. 

Koreja e Veriut e ka përfshirë statusin e saj bërthamor në kushtetutë që nga viti 2023, duke e shpallur të pakthyeshëm.

Pheniani beson se arsenali i tij bërthamor, i vlerësuar në disa dhjetëra koka, është garancia e mbijetesës së regjimit kundër çdo pushtimi. Ky qëndrim është forcuar nga operacionet ushtarake amerikane në Iran dhe Venezuelë. 

Në të kaluarën, Kina ka mbështetur denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe ka votuar për sanksione ndaj Phenianit, por qëndrimi i saj është zbutur vitet e fundit, duke e parë stabilitetin e regjimit si prioritet. Koreja e Veriut mbetet i vetmi vend i lidhur me Pekinin nga një aleancë ushtarake formale. 

Vizita e Xi vjen në një kohë kur Kim Jong-un ka forcuar lidhjet me Rusinë, duke dërguar trupa për të ndihmuar forcat ruse në Ukrainë. Analisti Lim Eul-chul nga Universiteti Kyungnam tha se “ndërsa pozicioni ndërkombëtar i Kinës rritet, Pekini ka të ngjarë të angazhojë më aktivisht Phenianin në orbitën e tij diplomatike”. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›