Draft-raporti i Terras-it për Kosovën: 2025, “vit i humbur” nga ngërçi politik

Zhvillimet politike dhe ekonomikë në Kosovë, sundimi i ligjit, dialogu me Serbinë dhe rruga integruese e vendit drejt Bashkimit Evropian, kanë qenë kryefjalë e draft raportit të përpiluar nga raportuesi në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Në raport nënvizohet se viti 2025 u karakterizua nga ngërç i gjatë politik, i cili ndikoi gjithashtu në funksionimin e institucioneve në vend.
Po ashtu, raporti thekson se, periudha e gjatë e bllokimit institucional konsiderohet “vit i humbur” për Kosovën, ndonëse mirëpritet formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë.
Raporti vëren gjithashtu se Kuvendi nuk arriti të zgjedhë një president të ri brenda afatit kushtetues, gjë që e shtyu vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe çoi në shpërndarjen e Kuvendit me dekret presidencial në mars 2026.
“Parlamenti Evropian mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se një viti ngërçi politik; megjithatë shpreh keqardhje për procesin politik të paralizuar gjatë vitit 2025 që rezultoi në një ‘vit të humbur’ për Kosovën; shpreh më tej keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një President të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë kështu vendin drejt zgjedhjeve të reja; merr në dijeni shpërndarjen e Kuvendit me dekret presidencial më 6 mars 2026”, thuhet në raport.
Sipas RTK-së, raporti rithekson mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimi Evropian, i dorëzuar në dhjetor 2022. Në këtë kontekst, u bëhet thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën të lëvizin drejt njohjes së saj, në mënyrë që vendi të mund të avancojë në procesin integrues në kushte të barabarta me vendet e tjera kandidate.
Po ashtu, Parlamenti Evropian i kërkon Kosovës të përshpejtojë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive themelore. PE u ka bërë thirrje institucioneve evropiane që të heqin masat e mbetura ndaj Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë më të justifikueshme.
Në planin ndërkombëtar, raporti konfirmon mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshilli i Evropës dhe për përfshirjen e saj në programin e NATO të quajtur Partneriteti për Paqen.
/rtsh.al/