E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e temperaturave, sfidë për pacientët me çrregullime të shëndetit mendor

Rritja e temperaturave dhe ndryshimet sezonale ndikojnë jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në atë mendor.

Mjekët thonë se personat që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor mund të përjetojnë përkeqësim të simptomave gjatë periudhave me mot më të ngrohtë.

“Në periudhat e ngrohta, pas daljes së dimrit, rritet humori dhe kjo ndikon edhe tek personat që vuajnë nga çrregullimet bipolare, me eufori, shtim të gëzimit, agjitacion, nervozitet dhe pakësim të orëve të gjumit. Por kjo ndodh edhe tek personat normalë. Ulja e melatoninës shkakton rritjen e pagjumësisë dhe tek personat e ndjeshëm kjo mund të shkaktojë delire dhe çrregullime të të menduarit”, tha Nikolina Bode, mjeke psikiatre në QKSHM, Korçë.

Specialistët rekomandojnë ndjekjen e rregullt të trajtimit, shmangien e ekspozimit të gjatë në diell dhe kërkimin e ndihmës mjekësore në rast se gjendja përkeqësohet. Por, përveç pasojave negative, ky ndryshim i motit ka edhe ndikim pozitiv në disa raste specifike.

“Rritja e serotoninës shkakton një ulje apo përmirësim të depresionit dimëror”, tha ajo.

Nga problemet e shëndetit mendor vuajnë rreth 20% e popullatës.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›