Dredha: Çadra falas nga bashkia Vlorë në stacionet e plazheve publike

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Në stacionet e plazheve publike të ngritura në Vlorë, këtë vit do të ketë edhe çadra të dedikuara për turistët dhe banorët e qytetit, të ofruara falas nga bashkia.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha në një prononcim për mediet, tha se këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, do të ketë edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.
“Sot, kemi vendosur në funksion projektin për ofrimin e çadrave falas për ata që zgjedhin t’i kalojnë pushimet në këtë pjesë të plazhit të Lungomares sonë. Por, ka edhe vende të tjera ku ne ofrojmë hapësira dhe plazhe publike, siç dihet 30% e vijës bregdetare janë hapësira publike”, tha Dredha, ndërsa shtoi se ka stacione plazhi publike me çadra falas edhe në Radhimë, Orikum, edhe në plazhin e Zvërnecit.
“Do të ketë çadra falas të ofruara nga bashkia, si edhe tabela identifikuese që njerëzit të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Do të jetë një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi”, pohoi Dredha.
Këtë vit është parashikuar që në qarkun e Vlorës të ketë 973 stacione plazhi publike, ndërsa sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është vendosur që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë plazh publik. /e.i/j.p/