Drejt përfundimit ambientet e reja sportive në Parkun e Liqenit të Paskuqanit

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës Tiranë-Kamzë.
Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5,2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ambientet e reja sportive e këndin e lojërave për fëmijë në Parkun e Liqenit të Paskuqanit, tanimë drejt përfundimit.
Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.
Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.
Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit është pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm urban, duke e kthyer Kamzën në një shembull pozitiv për mënyrën se si hapësirat publike mund të rigjenerohen në dobi të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.
Fushat Sportive në Paskuqan 1 nga 4/m.m/a.f/r.e/